“I hodhëm në det dhe i varrosëm ata që na sulmuan”, Erdogan kërcënon Greqinë, duke i kujtuar historinë e 100 viteve më parë
Transmetuar më 05-09-2020, 09:50

Një kërcënim të fortë presidenti turk Taip Rexhep Erdogan i ka bërë Greqisë.

Kërcënimi i Erdogan është raportuar nga mediat e vendit fqinj, çka tregon se situata mbetet e tensionuar.

Mediat greke i referohen deklaratës së Erdogan gjatë fjalës së tij, para disa të të diplomuarve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes Turke.

Ai kujtoi historinë e 100 viteve më parë dhe kërcënoi, pa përmendur emrin e Greqisë:

“Ata që sulmuan pavarësinë tonë një shekull më parë, populli turk i varrosi në tokë ose i hodhën në det”.

“Ata që shënjestruan flamurin dhe lutjen tonë, kur po kërkonin një mënyrë për të dalë nga ky presion, ekzekutuan tre kryeministra, dy ministra dhe një gjeneral. Shpresojmë që të mos bëjnë të njëjtin gabim sot dhe të mos paguajnë të njëjtin çmim”, – u shpreh presidenti turk.

Turqia njoftoi stërvitje ushtarake pesë-ditore duke filluar të dielën me “ushtrinë” Qipriote Turke në Territoret e okupuara.

Turqia dhe Greqia janë vende anëtare të NATO-s, por nga tensionet në rritje, nuk është përjashtuar edhe nisje e një lufte mes tyre.

Megjithatë, po bëhen përpjekje diplomatike nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e situatës.

/NOA.al