Transmetuar më 07-09-2020, 08:58

Fondi total i pagave që bizneset japin për punonjësit e tyre do të pësojë ulje në intervalet 3.5-8,5 % thotë një studim i Bankës Botërore, i cili i ka përllogaritur humbjet në bazë të paketave të ndihmës të dhëna nga qeveria.

Në skenarin ku qeveria nuk do të kishte dhënë asnjë mbështetje fatura totale e pagave që japin bizneset këtë vit do të ishte 8.5% më e ulët se një vit më parë.

Në skenarin ku mbështetja nga qeveria do të ishte 50 për qind e fondit të pagave, humbjet do të shin 6.3%.

Në skenarin e tretë ku supozohet se mbështetja e qeverisë është 90 % humbjet do të ishin 3.5 %.

Në total, aplikimi i një subvencioni prej 50% të pagave në të gjithë sektorët do të zvogëlonte humbjen vjetore të e pagave nga 3.9% në 2.0% (me mbyllje 3-mujore të ekonomisë).

Banka analizon se do të duhej një subvencion i konsiderueshëm për të kursyer më shumë nga humbjet, madje edhe me një subvencion 90% nuk do të pengonte humbjen vjetore me 1.5% në rast të masave izoluese për tre muaj, shkruan ‘monitor’.

Banka Botërore analizoi se subvencionet e ofruara në praktikë nga qeveria shqiptare mund të mos jenë të mjaftueshme për të zvogëluar humbjet afatshkurtra të pagave në sektorë me ndikim të lartë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga paketa e parë financiare, që parashikonte pagesa prej 26 mijë lekësh në muaj për tre muaj radhazi (mars-maj) kanë përfituar gjithsej rreth 65 mijë persona, të punësuar në gati 39 mijë subjekte të vogla. Shuma e akorduar për ta, përfshirë edhe dyfishimin e pagesave të papunësisë është 5.8 miliardë lekë.

Për paketën e dytë, që përfshinte katër masa (të punësuarit e tjerë të bizneseve të vogla që nuk përfituan nga paketa e parë; të punësuarit te biznesi i madh që ishin të mbyllur nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë; të punësuarit te biznesi i madh të larguar nga puna deri në 16 maj; Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, që ishin në listëpagesa)janë paguar gjithsej 172.4 mijë persona, për një vlerë prej 8.9 miliardë lekësh.

Në total, shuma e paguar për mbështetjen e biznesit për të dy paketat ishte 12.7 miliardë lekë, ndërkohe që fatura mujore e pagave e bizneseve është rreth 190 miliardë lekë sipas të dhënave të INSTAT.