Ish-ministri Malaj, kritika Ramës për Shahinin: PS po keqpërdoret, mesazhi i saj i gabuar
Transmetuar më 09-09-2020, 14:31

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, e sheh shumë të gabuar për të rinjtë mesazhin e dhënë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, se nuk do të kontribuojë në fushatën e ardhshme zgjedhore dhe se do të largohet nga Shqipëria pas mbarimit të detyrës si ministre.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Malaj vlerëson si të drejtë normale të ministres Shahini që të zgjedhë çfarë është më e mira për të dhe familjen e saj, por ai mendon se Besa i ka prerë në besë aspiratat dhe ambiciet e të rinjve që duan të angazhohen në politikë, sidomos grave dhe vajzave.

Deklarata e ministres Shahini se do të largohet nga Shqipëria pas mbarimit të mandatit qeverisës, sipas Malajt tregon mënyrën e papërgjegjshme se si Kryeministri Rama ka ndërtuar kabinetin e tij qeverisës “me përzgjedhjet e tij spontane dhe “individë që betoheshin” publikisht apo në heshtje se do të absolutizonin modelin e tij të lidershipit”.

Malaj shprehet se ndryshe nga socialistët e thjeshtë, të cilët bëjnë fushatë dhe japin votën për PS-në, “besnikë deri në vdekje”, njerëzit që Rama ka ofruar në qeveri dhe në Parlament janë klonuar nga Mjaft-istë në Rilindas dhe zotërojnë 80 për qind të pushtetit të PS-së në të gjitha përfaqësimet, duke i shërbyer Ramës pa asnjë përgjegjësi shtetërore dhe pa asnjë përgjegjësi politike, por thjesht për promovim të pamerituar.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në fushatën zgjedhore të PS-së sepse kërkon t’i bashkohet familjes në Kosovë. Si e vlerësoni politikisht një qëndrim të tillë nga një anëtare e kabinetit qeverisës?

Besoj se znj. Shahini gëzon lirinë e plotë për të bërë zgjidhjet më të mira për familjen e saj dhe për angazhimet e ardhshme shkencore apo politike në Kosovë dhe jashtë saj. Si anëtare kabineti, ajo kishte një karrierë politike pa angazhime partiake, gjë që është normale në demokracitë funksionale, pasi individë të ndryshëm edhe në qeveritë e vendeve perëndimore marrin mandate politike edhe pa qenë anëtarë të partive politike. Por ata duhet të gëzojnë një avantazh publik të spikatur në fushën përkatëse ku shërbejnë, si ministër ose në jetën publike. Në këtë kontekst, znj. Shahini i ka “krahët e lirë” të bëjë zgjedhjen e saj, pa ndierë detyrime ndaj socialistëve apo ndaj opinionit publik në Shqipëri, sepse ndoshta kjo ka qenë kontrata informale me Kryeministrin: “Do të shërbej në qeverinë tuaj deri sa të jem ministër, pas asaj gjithçka kthehet në pikënisje zero”.

Cila është përgjegjësia e Kryeministrit nga një deklaratë e tillë?

Kryeministri nuk ka asnjë përgjegjësi, as morale, as politike dhe as ligjore, të paktën deri në auditimin e Ministrisë së Arsimit pas zgjedhjeve 2021, sepse ai e bazoi përzgjedhjen e ministrave, kryetarëve të bashkive dhe titullarëve në institucione dhe agjenci të rëndësishme të qeverisjes së vendit, te përzgjedhjet spontane dhe thellësisht personale të pushtetit të tij absolut dhe abuziv. Rama e ndërtoi hierarkinë e tij qeverisëse nga qeliza më e vogël përfaqësuese në nivel vendor e qendror deri te mandatet më të larta politike te “kandidatë parafabrikatë”, me përzgjedhjet e tij spontane dhe “individë që betoheshin” publikisht apo në heshtje se do të absolutizonin modelin e tij të lidershipit. I keni parë disa ministra, që sa herë hapin gojën në publik thonë se këtë “dhuratë nga qielli” apo këtë të mirë e ke vetëm nga Kryeministri Rama? Rama nuk ka asnjë përgjegjësi, gjithashtu, sepse shqiptarët e kanë votuar dhe rivotuar edhe pas këtij keqshpërdorimi të pushtetit në përzgjedhjen dhe promovimin e përfaqësuesve politikë të PS-së. Kjo “mbështetje” në parti, në Parlament, në publik e ka bërë Ramën mospërfillës, arrogant dhe abuzues me postin e rëndësishëm të Kryeministrit të një vendi që po varfërohet akoma më shumë edhe nga keqqeverisja e tij dhe po mbetet i bllokuar në perspektivën e tij europiane.

Si duhet të ndihet një socialist, i cili mund të mos e ketë gjetur një vend pune gjatë qeverisjes socialiste dhe përsëri angazhohet në fushatat zgjedhore për ta bërë përsëri fituese PS-në?

Ju lutem, ndani rilindasit nga socialistët e thjeshtë, të cilët janë 99 për qind e PS-së. Ata janë me mijëra njerëz të mirë, shumë prej tyre janë “besnikë deri në vdekje”, të cilët pranojnë të japin votën thjesht dhe vetëm për besnikëri, pa kërkuar asnjë shpërblim personal apo familjar. Ndërsa pjesa prej 0.67 % e G99-ës, që ka sot mbi 80 % të pushtetit real të socialistëve në çdo nivel përfaqësimi, janë klonuar nga Mjaft-istë në Rilindas, duke i shërbyer Ramës pa asnjë përgjegjësi shtetërore dhe pa asnjë përgjegjësi politike, por thjesht për promovim të pamerituar. Por siç thotë me ironinë labe një mik i përhershëm i Ramës në Vlorë, këta nuk janë “gurë themeli të socialistëve”, por janë “gurë të hedhur” në oborrin e PS-së, të cilën e keqpërdorën deri në dhimbje PS-në për pushtetin e tyre të paditur, të papërgjegjshëm, deri edhe të lidhur me krimin.

Cili mund të jetë mësimi që del nga një qëndrim i tillë i një ministreje?

Kjo është pyetja thelbësore e kësaj interviste. Ministrja Shahini, përpara se ta (keq)përdorë lirinë saj për çdo zgjedhje të saj personale, duhet të qartësojë trashëgiminë e saj politike në politikën shqiptare dhe në Ministrinë e Arsimit. Trashëgimia e saj në politikë është një model jopozitiv. Me këtë deklaratë, akoma në postin e ministrit të Arsimit – ajo u jep një mesazh zhgënjyes dhe negativ brezave të të rinjve, të rinjve shqiptarë dhe në veçanti mijëra vajzave dhe grave që kanë ambicie të natyrshme politike. Mesazhi i Besës është mungesa e besës ndaj tyre.

Sepse Besa me veprimin e saj edhe pa folur, u jep mesazhin: Mos u përpiqni të shërbeni, mos u lodhni të sfidoni, thjesht gjeni njeriun e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe mund të fluturoni në karrierë nga një profil modest, në ministre të Arsimit të një vendi, ku treguesit e arsimit u përkeqësuan akoma më shumë gjatë drejtimit të saj. Mësimi, nga rastet e promovimeve spontane dhe prodhimi i “liderëve parafabrikatë”, është i qartë: partitë politike u shërbejnë mirë interesave të popullit dhe vendit të tyre, i plotësojnë më mirë sfidat ndaj vendit të tyre në pozitë dhe opozitë, në varësi nga cilësitë e liderëve në çdo mandat politik. Rruga më e mirë e identifikimit, promovimit, përmirësimit të cilësisë së liderëve politikë dhe qeverisës duhet të jetë investimi afatgjatë nëpërmjet programeve të lidershipit, intershipet dhe akademitë politike. Në rast të kundërt, cilësia e lidershipit politik do të përkeqësohet dhe për pasojë, edhe qeverisja e vendit do të përkeqësohet, ndërsa Shqipëria rrezikohet të vazhdojë krizën e tejzgjatur të liderëve parafabrikatë, spontanë, të babëzitur dhe arrogantë.

Besa Shahini merr vendimin e papritur: Kam njoftuar kryeministrin, do iki nga Shqipëria