Transmetuar më 09-09-2020, 23:01

Veri është një burrë rreth të gjashtëdhjetave i cili ka një jetë në Tiranë. Ai ka një apartament të vogël aty afër Shkollës së Baletit dhe jeton me të shoqen, thuajse moshatare. Mosha e thyer i ka shtuar telashe shëndeti si diabeti, etj.

Para disa ditësh ai pati pak kollë dhe njëherësh, temperaturë, diçka më pak se 38. E shoqja u shqetësua dhe telefonoi mjeken e familjes. Ajo i tha shprehimisht: "Ka apo nuk ka Covid, ai do të trajtohet sikur e ka. Tamponin po je me fat do ta bëjnë pas nja dy a tri ditësh. Shtoji dhe po aq ditë që do përgjigjja që të dalë. Ndaj sa të presësh këto, kape e mjekoje".

Kaq mjaftoi që Veri të nisë një trajtim të fortë. Tri lloj antibiotikët njëherësh, Dexametazon, vitamina të shtrenjta e ilaçe të tjera, më së shumti me shpim. Jo pak, por 609 e ca mijë lekë të vjetra.

Ekipi i testimit i shkoi në shtëpi pas tri ditësh dhe i bëri tampon. Tri ditë më pas mori përgjigjen, ishte negativ.

Atëherë rikthehet në lojë mjekja, duke i thënë: "Shumë vetave tamponi u del gabim, nuk janë të sakta. Ndaj fute e bëji skaner".

Veri vrapoi për skaner, por ku? Në shtet të bie radha mot dhe covidi përqark. Pa dëshirë shkon te privati. Këta janë mjeshtra të përfitimit dhe kanë rritur çmimet, 220 mijë lekë një skaner.

Edhe këtu, Veri doli pa gjë. Atëherë mjekja e familjes nuk u dorëzua sërish: "Shko e bëj serologjikun".

Prapë te privati, Veri harxhoi dhe një 50 mijëshe tjetër për testin serologjik. I thanë se nëse del pozitiv do ta bëjë dy herë, dmth dyfish pará. Për fat i doli negativ.

Por a iu gëzua Veri këtij lajmi të përforcuar se nuk ka Covid? Në të vërtetë jo, asfare: "Nuk e paskam kaluar. E i bie të ruhem prapë dhe po më zuri, ku ti gjej më lekët unë për t’ia nisur nga e para? A e kupton se këto nj milion e ca lekë që lashë më shkuan kot, u zhyta në borxh dhe i futa trupit turli lloj helmesh e shiringash".

Si Veri, po përballen me këto situata edhe shumë shqiptarë të tjerë në Tiranë dhe anembanë vendit. Shumica marrin 127-ën dhe këta i marrin të dhënat e u gjejnë mjekun e familjes dhe këtu nis skema pllakë: Ke apo nuk ke Covid, mjaft që ke ndonjë shenjë dhe i nënshtrohen mjekimit paradhënie edhe pse shumica e tyre "e hanë" si Veri, raporton noa.al.

Në ministrinë e Shëndetësisë, duke e pranuar tërësisht situatën, thonë se këto janë protokolle zbatimi për shenjat e COVID-19.

Në qendrën shëndetësore numër 4 në Tiranë, mjekja Entela Labaj, pohon të njëjtin fakt: Pacientët fillojnë të marrin mjekim, pa dalë ende përgjigjja e tamponit.

“Në momentin që je në kontaktin përballë me pacientin ai të thotë shenjat klinike që janë nga më të ndryshmet sepse siç e dimë ky virus është me 700 e ca shtame, dhe si kap njërin nuk kap tjetrin. Kështu që ne kemi dhe vështirësinë e ndarjes së diagnozës diferenciale. Nëse një pacient vjen me temperaturë 37.2, 37.3 ne japim antiviralët se antibiotiku në këto kushte është i kundërindikuar. Në momentin që fillojnë problemet pulmonare që ne i quajmë serioze dhe këtë e zbulojmë nëpërmjet radioskopisë, skaneri, testi serologjik, atëherë jemi të detyruar të fillojmë antibiotikët,” thotë mjekja Labaj.

Farmacistja Flora B., shprehet se ilaçet janë të shtrenjta. Ajo tregoi për Euronews Albania recetën e një pacienteje me Covid-19 që ishte kuruar në kushtet e shtëpisë.

Kostoja e një jave mjekim dhe disa pajisjeve si oksimetri dhe aparatura e oksigjenit për këtë pacient kanë shkuar afërsisht 60 mijë lekë të reja.

Fatura e mjekimit 7 ditë në shtëpi për Covid-19

Roxipime -11 000

Ravio – 8 400

Vitamin 1 200

Xarelto  7 676

Dexametazon 492

Shiringa 200

Oksimetër 6 500

Aparati i oksigjenit me qira 18 000 lekë

Bombol oksigjeni 5 000

Totali: 585 000 lekë të vjetra 

Farmacistja thotë se një javë mjekim shkon gati 600 mijë lekë të vjetra, llogari të cilin e bëri për një pensioniste 70-vjeçare e cila ka të ardhura të ulëta bazuar në shifrën e pensioneve në Shqipëri.

“Është një kosto shumë e lartë për të,” thotë farmacistja me keqardhje.

Edhe pse ende nuk është gjetur një kurë apo vaksinës për COVID-19, pjesa më e madhe e ilaçeve që përdoren për ta luftuar atë nuk rimbursohen për shtresat në nevojë.