Transmetuar më 11-09-2020, 20:22

Vajza e artistit Robert Aliaj do të konkurrojë sonte në finalen madhe të “ The Voice Kids” në Belgjikë.

Roberti ka treguar se dëshirën e Galës për të marrë pjesë në këtë konkurs e ka marr vesh i fundit.

“Ishte ora 12 e natës dhe po e shikoja se Gala ishte e stresuar dhe kur e pyeta, ajo më tregoi se po regjistrohej për të marrë pjesë në konkursin e  Voice Kids of  Belgium ”, u shpreh Aliaj.

Ndërsa Gala ka treguar faktin se kishte vendosur për t’u regjistruar në konkurs dy minuta para se të mbylleshin ato. – “ Hapin e parë e kam bërë dy minuta para se të mbylleshin regjistrimet, pasi qëllimi im nuk ishte për të fituar”, – deklaroi 15 vjeçarja.

Gjithashtu ata kanë treguar edhe një prapaskenë nga momenti që Gala duhet të vendoste për këngën e natës së parë të konkurrimit.

Gala së bashku me të atin saj  ishin të ftuarit e emisionit “ Top Talk” në Top Channel, ku kanë folur për rrugëtimin e Galës që nga regjistrimi i saj e deri se çfarë presin nga finalja e sotme.

“ Në fakt ishte një moment i lezetshëm dhe me pak ngërç sepse morëm një moment shumë të gjatë përpara fillimit të emisionit. Ne qëndruam 45 minuta për t’u bërë gati në daljen e parë të Galës, pasi ajo nuk po mund të vendoste se me çfarë këngë të konkurronte dhe pasi kaluan 45 minuta, drejtuesit e emisionit na kërkuan që të vendosnim dhe në ato momente i kam thënë  Galës që duhet të vendoste tani”, – tha më tej Roberti, artisti që e ka ndarë jetën mes Tiranës dhe Brukselit.

Ndërkaq, Gala tregoi edhe se çfarë pret në këtë finale dhe se si do ta vazhdojë karrierën në të ardhmen.

“Nuk jam e stresuar fare, është ndjesi abstrakte. Nuk e di nëse do të fitoj sepse të gjithë kandidatët janë shumë të mirë dhe do të jetë në dorë të publikut. Dua të bëj shumë gjëra me artin si babi, dua të bëj këngë, të bëj kompozime”, – u shpreh ajo.

Gjithashtu ajo ka treguar edhe këngën më të cilën do të konkurrojë në finalen e madhe  dhe veshjen që ajo do të veshë gjatë përformancave të saj

“Për finalen do të përformoj dy këngë të Elton John”, e mbylli Gala intervistën e saj.

Finalja e madhe e “ The Voice Kids of Belgium” transmetohet sonte në orën 21:00 dhe një vajzë e talentuar shqiptare mund të jetë fituese e këtij edicioni.

/NOA.al