Transmetuar më 12-09-2020, 20:46

Ish-kampioni i sportit të mundjes Wrestling, Navid Afkari, është ekzekutuar me vdekje mëngjesin e sotëm në burgun ku mbahej prej gati dy vitesh.

Ai ishte dënuar me vdekje për vrasjen e një rojeje sigurie me thikë, gjatë protestave të vitit 2018.

Për sportistin nga Irani u angazhuan sportistë vendas e jo vetëm, ndërsa edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i bëri thirrje Iranit t’i kursejë jetën.

Navid Afkari, në një incizim audio të dalë nga qelia ku mbahej nën arrest, tregon se e kanë torturuar për të pranuar fajin, ndërsa edhe avokati i mundësit konfirmoi se 27-vjeçari u dënua pa prova konkrete.

Mbi 82.000 atletë nga e gjithë bota, kërkuan unanimisht përjashtimin e Iranit nga çdo aktivitet sportiv botëror, nëse ekzekutohet mundësi Afkari.

Megjithatë lutjet, thirrjet e presioni nuk ndikuan aspak që në Iran të kursehej jeta e sportistit 27-vjeçar i cili u ekzekutua pikërisht mëngjesin e sotëm.