Transmetuar më 12-09-2020, 22:56

Thuajse e gjithë bota po vuan valën infektive Covid-19 dhe vetëm pak shtete, kryesisht ishuj janë plotësisht pa vatra shpërthyese.

Por sa do të zgjasë kjo situatë? Parashikimin e bëri sot, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive, kreu epidemiologjik amerikan, Anthony Fauci.

Ai tha se deri në fund të vitit të ardhshëm pritet që kjo situatë të marrë fund dhe mbarë bota përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthehen në normalitet.

E ndërkohë, thotë dr.Fauçi, duhet kujdes sepse infeksioni po përhapet kudo me shifra të larta.

Pozitiviteti në disa rajone dhe vende po rritet sipas tij, dhe njerëzit po kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura për shkak të motit më të freskët.

Fauçi parashikon një vjeshtë dhe dimër të vështirë duke nxitur njerëzit të mbajnë parasysh me vigjilencë, tri këshilla: distancë 2 metra nga njerëzit jashtë familjes, dezinfektim të duarve dhe maskë aty ku nuk ruhet distanca si dhe në mjedise të mbyllura.

Aktualisht në SHBA numërohen 6,666,689 të prekur. Prej tyre mbi 197 mijë njerëz kanë humbur jetën.

Në të gjithë botën janë aktualisht 28,870,473 të infektuar, sipas shifrave të mbrëmjes së sotme që raporton Worldometer.

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se vendi ka shënuar progres në luftën kundër virusit, dhe se vaksina do të jetë gati shumë shpejt.