A mundet një nxënës të firmosë nën përgjegjësi ligjore se është apo nuk është me COVID-19 kur nuk mund ta dijë as vetë?!
Transmetuar më 13-09-2020, 15:13

Ministria e Arsimit që drejtohet nga shqiptarja e Kosovës, Besa Shahini, po detyron nxënësit e çdo moshe në Shqipëri që të firmosin dhe dorëzojnë çdo ditë në shkolla një deklaratë ku mbajnë përgjegjësi se janë apo nuk janë me COVID-19.

Absurdi i kërkimit të një deklarate të tillë vjen në kushtet kur në mbarë botën dihet se askush nuk e di nëse është apo jo me COVID-19, askush nuk e di nëse është apo jo asimptomatik dhe askush nuk e di se ndonjë shenjë Covidi që është fare e ngjashme me gripin mund të jetë vërtet Covid-19.

E megjithatë kjo ministre kërkon në mënyrë taksative që të firmosin dhe mbajnë përgjegjësi për diçka që një Zot e di dhe vetëm tamponët e bërë periodikisht mund ta nxjerrin. Por dihet se qeveria ku Shahini dhe lajthitje e saj e fundit bëjnë pjesë, nuk u bën tamponë përveç atyre që janë të sëmurë.

Në formularin që noa.al jua sjell të plotë më poshtë, që në fillim shkruhet: "Unë nxënësi… deklaroj nën përgjegjësinë time se kam/nuk kam njerëz me Covid-19 në familjen time. Unë personalisht nuk jam i prekur me COVID-19."

E njëjta deklaratë kërkohet që të firmoset edhe nga prindi i nxënësit: "Unë prindi i nxënësit, deklaroj nën përgjegjësinë time personale se fëmija im dhe familja ime nuk jemi me COVID-19 ".

Por si mundet të bëhet kjo? E si mundet që një fëmijë të mbajë të tilla përgjegjësi? Sigurisht as prindi jo.

Për më tepër formulari Shahini nuk bën dallim që nga fëmijët e parashkollorit, deri në klasat e larta që gjithsesi janë nën moshë madhore.

Ekspertë të kontaktuar nga noa.al pohojnë se kjo është shkelje juridike.

Le të supozojmë një rast hipotetik. Një fëmijë firmos se as ai vetë dhe as të afërmit nuk janë me COVID-19. Fëmija nuk ka si ta dijë, por nejse. Ndodh që i afërmi apo vetë fëmija është infektuar pa e ditur apo mund të jetë asimptomatik dhe infekton dikë ose disa të tjerë. Sipas ligjit special të Edi Ramës, i njohur si akt normativ dhe sipas përgjegjësisë ligjore të kërkuar nga Besa Shahini si ministre, fëmija apo prindi penalizohen dhe rrezikojnë qartësisht burgun për përhapje me dashje të infeksionit sepse kanë firmosur se nuk kanë infeksion (!)

Kjo është një situatë absurde dhe në një vend normal, përgjegjësit e shpërndarjes së kësaj deklarate, më së paku nuk mund të jenë më në kolltukët që mbajnë.

Maksimumi që mund të pranohej të firmoset nga prindi apo nxënësi do të ishte: "Unë deklaroj se nuk jam në dijeni të jem i prekur nga COVID-19". Por Shahini dhe ministria që ajo drejton kanë zgjedhur tua ngecin prindërve dhe nxënësve çdo situatë që mund të precipitojë ku dhe Kryeministri Rama tha para pak ditësh se pritet të rriten rastet e infeksionit me rihapjen e shkollave.

Duke detyruar shqiptarët që të firmosin deklarata të tilla, Shahini me shokë kërkon tua faturojë atyre çdo përgjegjësi dhe pse janë të pafajshëm, duke i ngarkuar me një barrë aktakuze absurde.

Formulari tashmë i është shpërndarë nxënësve por ata dhe prindërit mund të mos jenë të vëmendshëm dhe mund të firmosin një barrë që nuk u takon ndaj duhet ndërhyrje e menjëhershme nga organizma të tjera shtetërore që të tillë formularë abuzivë të mos firmosen në këtë mënyrë nga askush. /noa.al/