Transmetuar më 16-09-2020, 10:26

Presidenti Ilir Meta ka bërë publik qëndrimin e tij mbi vonesat dhe problematikat në bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Presidenti i Republikës ka përcjellë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit, qëndrimin zyrtar “Mbi vonesat dhe problematikat në ripërtëritjen dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”.

Në një letër të dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend si Kuvendi i Shqipërisë dhe Avokati i Popullit, Meta ka evidentuar problematikat, anomalitë dhe vonesat e pajustifikuara, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit, si dhe marrjen e masave emergjente për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Sipas presidentit, është e papranueshme që  KLGJ-ja “në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht ende nuk ka mundur të përmbyllë shqyrtimin e vetëm një kandidature të ngelur në garë për këtë vend vakant”.

Sipas tij “çdo veprim që nuk shkon paralel me kërkesën dhe nevojën jetike që ka vendi, do të kuptohet si veprimtari e qëllimtë për bllokimin e funksionimit si të Gjykatës së Lartë ashtu dhe të Gjykatës Kushtetuese, çka kërkon mbajtjen e përgjegjësive ligjore nga çdo funksionar”.

Ndërkohë edhe për KED, presidenti i Republikës thotë se “nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar se cilat janë pengesat në veprimtarinë e KED-së dhe çfarë e ka frenuar këtë organ që të përfundonte shqyrtimin e kandidaturave për këto tre vendeve vakante”.

Në respekt të parimit të transparencës që ka shoqëruar gjithmonë veprimtarinë e Kreut të Shtetit, ky qëndrim përmes shkresës për mbi 15 faqe publikohet në faqen zyrtare të Institucionit.

/NOA.al