Transmetuar më 19-09-2020, 07:41

Cikloni Ianos që si rrallëherë ka goditur Mesdheun, ka shkaktuar viktima në Greqi

Raportohet se një grua humbi jetën në Farsala. Kryetari i bashkisë, Makis Eskioglou, tha se bëhet fjalë për një grua të moshuar në Vasili Farsalon.

Sakaq në një prej operacioneve të shpëtimit që u realizua me sukses para pak çastesh dhe që ishte në zhvillim prej disa orësh, u shpëtua edhe një familje emigrantësh shqiptarë me një fëmijë tre vjeç të cilët ishin të rrethuar nga ujërat në fshatin Sofadhës të Kardhitses.

Gjatë orëve të fundit që ka precipituar cikloni, në Greqi u zhvilluan 614 operacione shpëtimi pas 2450 kërkesave për ndihmë në numrin telefonik 100.

Zonat më të prekura nga cikloni janë ishujt në jug të Jonit, në Greqinë perëndimore, Greqinë kontinentale dhe Thesali. Ndërkohë raportohet për shumë përmbytje pasi për shkak të reshjeve ka prurje të mëdha të ujërave të lumenjve.