Transmetuar më 20-09-2020, 07:28

Vetëm pak metra ndajnë tregun e kafshëve të egra dhe laboratorin e virologjisë që financohet dhe mbështetet nga OBSH në Wuhan të Kinës.

Se si virusi korona u shfaq në Wuhan, më së pari tek ky treg, një Zot e di. Por ajo që dihet tashmë është se Wuhan po jeton jetën që mbarë bota bënte më parë, ndërsa globi lëngon nën pushtimin me emrin Covid-19.

Banorët në Wuhan e kanë harruar tashmë pandeminë dhe i janë rikthyer jetës normalisht.

Qyteti me 11 milionë banorë që u konsiderua si epiqendra e virusit vdekjeprurës së koronavirusit tashmë i kujton si një ëndrra të këqija pamjet me viktima në mes të rrugës dimrin e kaluar.

Mediat botërore tashmë kanë sjellë pamje të Wuhanit të ditëve të sotme ku shihet qartë jeta e natës që zhvillohet në qytetin kinez më të lakuar të kohëve të fundit.

Pa maska, pa distancë. A thua pandemia e koronavirusit ka marrë fund në Kinë?

Në fakt shifrat flasin vetë: Gjithsej Kina me afro 1.5 miliardë popullsi, numëron 85.111 të infektuar ndër të cilët 80.477 janë shëruar. Aktualisht janë 168 raste aktive, ku tre janë në gjendje kritike. Kurse në Wuhan as që ka të infektuar prej shumë kohësh.

Çfarë ndodhi në Wuhan

Në dhjetor 2019, u shfaqën rastet e para të koronavirusit të ri, në tregun e kafshëve dhe zvarranikëve të egër në Wuhan. Qeveria e futi të gjithë qytetin menjëherë në karantinë të egër. Por aeroportet ndërkombëtare nuk i mbylli. Shumë njerëz qarkulluan lirisht nga dhjetori në mars dhe virusi u përhap lehtësisht në të gjithë botën. OBSH gjatë gjithë kësaj kohe bëri raportime kontradiktore duke krijuar mosbesim te shumë njerëz.