Transmetuar më 20-09-2020, 21:59

Me disa orë vonesë u krye pjesërisht shembja e pallatit 12- katësh plus kate të nëndheshme në qytetin e Durrësit, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Forcat e IKMT dhe ato xheniere të Ushtrisë kanë kryer 12 shpërthime me diferencë 5 sekonda njëra nga tjetra, duke rrëzuar muret e brendshme të godinës.

Sipas autoriteteve janë përdorur 88 kilogramë lëndë plasëse në 1200 furnela (vrima).

Sipas specialistëve, kjo procedurë është përdorur pasi muret e objektit kanë qenë beton arme me dy zgara hekuri nga themelet deri në kat të fundit, me 40 cm trashësi.  Ndërkohë, mësohet se rrëzimi total do të kryhet në një moment të dytë.

Operacioni paraqiste rrezik sepse ndodhej në një zonë tejet të populluar, ku rrezikonin nga pasojat e shembjes të paktën 7 banesa përreth.

Bëhet fjalë për një godinë të re, rreth 6-vjeçare, e cila kishte pësuar një anim rreth 20 centimetra qysh në tërmetin e shtatorit të kaluar, dhe më pas situata u përkeqësua me tërmetin e nëntorit.

Shembja e pallatit të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit do të bëhej me 12 shpërthime të njëpasnjëshme.

Më herët iu bë thirrje banorëve të 4 pallateve përreth për të dalë nga banesat e tyre. Janë rreth 180 apartamente banimi shumë pranë me pallatin që u hodh në erë sot nga IKMT, por që nuk u arrit të shembej plotësisht.

Sot në #Durrës, shpërthimi i brendshēm në pallatin 12 katësh…Lajmi në www.noa.al

Publiée par Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA sur Dimanche 20 septembre 2020