Transmetuar më 22-09-2020, 09:12

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka shpjeguar situatën e krijuar në bllokimin e superligës, pas kërkesave të futbollit kundrejt qeverisë.

“Bojkoti është mjeti i fundit për të sensibilizuar qeverinë të mbajë premtimet e dhëna për ta kthyer futbollin në një ekonomi që të mbajë veten. Nuk kërkojmë të mbahen 12 premtimet e kryeministrit, por kemi kërkuar vetëm 4 prej tyre”, u shpreh Duka duke shtuar se qeverisë i mjafton të marri dhe të implementojë një model qoftë ai gjerman, i Kosovës apo hungarez.

Më tej, kreu i FSHF u shpreh se ndryshimet e kërkuara nga futbolli kanë një ndikim të pallogaritshëm në buxhet, por për buxhetet e sportit që kanë një vlerë minimale do të jepte një incentivë.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin ‘Opinion’ lidhur me deklarimet minimale të pagave të futbollistëve, Duka mori si shembull rrogën e deklaruar të vëllait të Kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.

Duka tregoi se janë të niveleve të ndryshme nga 200 euro në 6 apo 7 mijë euro.

Pyetjes se Kryeministri ka thënë që futbollistët janë të siguruar me pagën minimale të ndryshme, ai u përgjigj, “Kjo është të flasësh në studio pa asnjë argument, unë po i jap vetëm një argument Kryeministrit që vëllai i tij është i siguruar për 5 milionë lekë në sport. Është nga njerëzit që paguhen nga klubet sportive dhe si ai ka shumë te tjerë. Ndërkohë ka edhe të tjerë e që deklarojnë shumë më pak nga sa paguhen realisht”.

Duke vijuar më tej, kreu i FSHF Duka tha se falja e tatimit të të ardhurave për një periudhë të caktuar do ta ndihmonte zhvillimin e futbollit.