Transmetuar më 23-09-2020, 21:22

Kryeministri Edi Rama ka folur për rritje pagash, kryesisht për mësuesit, mjekët dhe infermierët, në një kohë kur është paralajmëruar prej bluzave të bardha edhe një protestë.

Protesta është paralajmëruar nga mjekët dhe infermierët, për ditën e nesërme dhe do të mbahet në QSUT. Protesta e tyre lidhet kryesisht me pasigurinë në punë, si dhe mbi trajtimin financiar.

“Javën e ardhshme do të jemi gati ta publikojmë rritjen masive për mjekët dhe mësuesit”, – tha Rama.

Flitet për një rritje nga 3- deri në 40 për qind. Kjo rritje do të hyjë në fuqi, me fillimin e vitit që vjen, pasi nuk është parashikuar në buxhet.

Kryeminsitri Rama priti sot pasdite një grup mjekësh, për të diskutuar me ta, lidhur me pretendimet e ngritura para protestës, e cila duhet theksuar se nuk ka marrë leje nga policia, pasi në kohë pandemia, konsdierohet e rrezikshme.

Ai premtoi gjithashtu se njëkohësisht edhe paga minimale do të rritet.

“Jemi duke definuar edhe atë masë që ka qenë një nga objektivat tona dhe që po vjen drejt realizimit që është vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë”.

“Studimi për një rishikim të taksimit progresive po vazhdon. Besoj do të kemi një konkluzion pozitiv”, – u shpreh kryeministri.

Megjithëse është përballur me akuza se një premtim i tillë vjen në prag të fushatës elektorale, madje ka skepticizëm se paralelsisht mund të ndikojë në inflacion dhe fuqinë blerëse, çka do ta bënte ‘nul’ rritje, kreu i qeverisë tha se deri tani nga ana ekonomike pandemia është përballuar me sukses.

Me cilësimin si lajm të mirë të të pasurit numrin më të ulët të papunësisë për shkak të pandemisë, kryeministri Edi Rama tha se në vëmendje të tre programeve të nxitjes së punësimit, ku shteti financon pjesërisht pagën minimale dhe të plotë sigurimet shoqërore-shëndetësore, do të jenë ata persona që e humbën përfundimisht vendi e tyre të punës si pasojë e Covid 19.

Sipas këtij programi nga periudha mars deri në qershor, rreth 20 mijë prej 33 mijë personave që humbën punën nga karantinimi, duhet të punësohen.

Një nga mënyrat për të siguruar një vend pune do të jetë përmes e-Albania, ku tanimë ka nis regjistrimi i bizneseve të para përfituese.

Qeveria garanton se do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve, për kualifikimin, sigurimet, apo edhe pagat, por mbetet e paqarta skema sesi mund të realizohet një gjë e tillë.

Në një ekonomi normale punësimi realizohet përmes ofertë-kërkesës, ndërsa qeveria nxit rezultatet e produktit finale si dhe të punës./NOA.al