Transmetuar më 23-09-2020, 21:23

Në redaksinë e Fiks Fare në Top Channel, mbërriti një ankesë nga z. Mersin Cinellari nga Pogradeci, pasi prej 8 muajsh nuk ka marrë Kempin e verbërisë të së shoqes. Ai ka dorëzuar dokumentat më 20 shkurt të 2020 në Bashkinë Pogradec dhe që prej asaj kohe nuk ka marrë asnjë përgjigje. E shoqa është e verbër dhe vuan gjithashtu nga skleroza dhe njëra dorë i dridhet nga parkinsoni. Të dy kanë të ardhurat e vetme të pensionit që është në shumën 33 mijë lekë në muaj. ” Po çfarë të bëj unë me ato?! Të blej ilaçe, të paguaj një person i cili duhet të laj, shplaj, ushqej dhe shoqëroj gruan time?” shprehet z. Cinellari.

Si pasojë e verbërisë së të shoqes ai është i detyruar që të punësojë dikë për t’i shërbyer asaj, pasi siç shprehet dhe vetë ai është i sëmurë dhe nuk ia del dot i vetëm. ” Këtë gruan që më ndihmon e kam komshie dhe kam 3 muaj që s’e paguaj. Vetë nuk i shërbej dot se jam i sëmurë me tension e prostat” shprehet ai.

Çifti Cinellari janë të vetëm pasi nuk kanë fëmijë në ngarkim, ndaj ndihma nga një njeri tjetër është mëse e domosdoshme në këtë familje.

Ai shprehet se është interesuar disa herë në Bashkinë e Pogradecit se ku ka ngelur çështja e dokumentave të tij, por nga kjo bashki ka marrë përgjigje të vetme se pengesë dhe vonëse e vetme është pandemia. “Mirë po kjo do të hajë, se nuk di ka apo s’ka pandemi se është e sëmurë edhe kjo, si t’ia bëjmë në?” tregon ai duke kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare. ” Vetëm tek ju kam besim se mund ta zgjidhni këtë problem” thotë ai tek falenderon grupin e xhirimit.

Fiks Fare u interesua pranë Shërbimit Social Pogradec ku drejtoresha znj. Lindita Bice shprehet se dokumentat e znj. Bukurie Cinellari kanë qenë të rregullta dhe janë depozituar pranë Shërbimit Social në Tiranë ku behet edhe komisioni i verbërisë. ” Situatën është e tillë që si pasojë e pandemisë në të gjithë Shqipërinë janë pezulluar kempet. Dhe deri më tani nuk kemi një njoftim se kur do të fillojnë” shpjegon drejtoresha e shërbimit social.