Transmetuar më 24-09-2020, 12:09

Presidenti Ilir Meta rishpall për të tretën herë, procedurat e aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, e shpallur fillimisht për aplikim nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr.10723, datë 07.02.2018 dhe rishpallur me Dekretin nr. 11291, datë 27.09.2019, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant nuk ka kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë.

Me përfundimin përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, Presidenti i Republikës me Dekretin e datës 7 shkurt 2018 shpalli procedurën për plotësimin e kësaj vakance.

Në përfundim të procedurës së vlerësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve për këtë vend vakant nuk është lejuar kandidimi për asnjë nga 8 kandidatët, që shprehën interes dhe paraqitën kandidaturën, ndërsa për kandidatin e fundit të ngelur në garë të verifikuar nga KED, zotin Shaqir Hasanaj,vendimi i KED-së për ndalimin nga kandidimi është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit Administrativ dhe nuk ka ende një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar informacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe ecurinë e procesit për plotësimin e këtij vendi vakant, dhe ripërtëritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, fton dhe inkurajon:

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit dhe nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi të hapur publik për plotësimin e vendit vakant, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës këto dokumente:

-Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të rishpallur;

-Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);

-Fotokopje të kartës së identitetit;

-Dokumentacionin shoqërues, nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 125, pikat 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;

-Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit është i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.

-Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular i cili gjendet i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 14 tetor 2020.

Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës si dhe në mjetet e informimit publik.

Lista e aplikuesve dhe dosjet respektive të tyre do t’i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vijimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit sipas Kushtetutës dhe ligjit. /a.y/noa.al

Njoftim per Rishpallje Vakance by Noar Noari on Scribd