Transmetuar më 24-09-2020, 13:12

Opozita parlamentare depozitoi sot në Kuvend një projektligj lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në projektligj kërkohet ulja e pragut në 1% nga 3 që propozon Partia Socialiste në draftin e saj.

Drafti në fjalë mban firmën e deputetëve të opozitës parlamentare Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, Halit Valteri, Alban Zeneli, Halil Hakimi, Ralf Gjoni, Arlind Çaçani dhe Arben Elezi.

Propozimi i opozitës do të shqyrtohet nga një grup pune i ngritur nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka në përbërje Damian Gjiknurin, Klotilda Bushkën dhe Korab Litën.

Propozimet janë dorëzuar në Kuvend, ndërsa Komisioni i Ligjeve ka caktuar edhe një grup pune për të shqyrtuar ndryshimet. Komisioni i Ligjeve i ka dhënë afat grupit të punës deri më 30 shtator.