Transmetuar më 25-09-2020, 11:58

Presidenti Ilir Meta shprehet se do të vazhdojë të mbështes nismën për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe shpalljen Park Kombëtar të pjesës lumore ku parashikohen HEC-et.

Deklarata e tij u bë teksa përuroi Qendrën Ndërkombëtare Shkencore dhe Kërkimore për Vjosën

“Ne zhvilluam në Tiranë, tryezën e rrumbullakët për të ardhmen e lumit Vjosa me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të shquara dhe shkencëtarëve nga vende të ndryshme të Europës. Dua të vë në dukje kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në mbrojtje të lumit Vjosa, si lumi i fundit i egër në Europë, që rrjedh i pandërprerë në të gjithë gjatësinë e tij. Lumi Vjosa është një pasuri natyrore kombëtare por edhe ndërkombëtare, që ne kemi fatin ta kemi këtu, por që në të njëjtën kohë është i rrezikuar nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit. Edhe pse në kohë të vështira, siç jemi tani në situatën e COVID-19, jemi mbledhur për të diskutuar mbi këtë çështje të rëndësishme në një moment kyç për të ardhmen e luginës së Vjosës- para lëshimit të deklaratës mjedisore nga Ministria e Mjedisit për hidrocentralin e Kalivaçit”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se shpreson që qeveria të marrë në konsideratë serioze si peticionin e nënshkruar nga 776 shkencëtarë nga e gjithë botë, në mbrojtje të lumit Vjosa, ashtu edhe konkluzionet e nxjerra nga tryeza, që iu dorëzuan Presidentit të Republikës dhe që do të dërgohet pranë të gjitha institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me këtë çështje.

“Unë do të vazhdoj të mbetem në mbështetje të nismës në mbrojtje të lumit Vjosa, dhe ky aktivitet, i organizuar në këto dy ditë, është vetëm i pari i shumë të tjerave, që do të organizohen në mbështetje të kësaj kauze, por dhe kauzave të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. Uroj dhe shpresoj që tryeza e mbajtur dhe hapja e Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Vjosën, të mundësojnë e lehtësojnë dialogun e munguar mes shkencëtarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve, duke bërë të mundur që të dëgjohet zëri i shkencëtarëve që studiojnë lumin Vjosa prej vitesh”, tha kreu i shtetit.

Meta shtoi se zhvillimi i qëndrueshëm i vendit arrihet vetëm duke rritur vlerat e pasurive të tilla të jashtëzakonshme siç është Lumi Vjosa dhe lugina e tij, duke mbështetur ekonominë e gjelbër, duke zhvilluar agro-turizmin dhe ekoturizmin në zona me vlera të rralla natyrore siç janë ato të Kalivaçit e Poçemit.

“E ardhmja e Vjosës nuk mund të jetë kurrsesi shkatërrimi i saj përmes ngritjes së hidrocentaleve, por shpallja si Park Kombëtar, duke sjellë kështu impakt pozitiv dhe zhvillim të qëndrueshëm për zonën dhe komunitetin për sot dhe për gjeneratat e ardhshme”, tha ndër të tjera Presidenti.

Hapja e kësaj Qendre Kërkimore ndërkombëtare është bërë e mundur në sajë të bashkëpunimit mes Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Universitetit të Vienës dhe Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë, Austri (BOKU).

Qëllimi i krijimit të kësaj Qendre është ofrimi i infrastrukturës për zhvillimin e studimeve shkencore në luginën e lumit Vjosa dhe formalizimi i bashkëpunimit mes 3 universiteteve themeluese. /a.y/noa.al