Transmetuar më 25-09-2020, 16:24

Mbetjet në tokë ndoshta janë vetëm maja e ajzbergut e atyre që mund të gjenden në dete apo lumenj. Keni dëgjuar ndonjëherë për Rivercleanupalb?

Biolovealbaniangroup nisi në vitin 2018 me vullnetarë gjimnazistë, studentë, mësues e pedagogë nga qyteti bregdetar i Durrësit, duke u bërë pjesë e projektit Interreg Med ACT4LITTER Marine Litter Watch Month, një projekt për të pastruar e studiuar mikroplastikat për pjesën e bregdetit shqiptar.

Ky projekt u referua si leksion i hapur në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës me temë: "Monitorimi i mikroplastikave detare në plazhet e gjireve të Durrësit dhe Lalëzit”, si dhe u përmbyll me një artikull shkencor: “Marine litter on the Albanian coastline: Baseline information for improved management” në revistën “Ocean and Coastal Management” të grupit Elsevier.

Shtysa për t’u marrë me mbetjet plastike u mor nga projekti ndërkombëtar IPA DeFishGear (2013-2016), i cili ishte i pari që merrte në shqyrtim mbetjet plastike sipas metodologjisë së unifikuar për gjithë shtetet që lagen nga deti Adriatik.

Për këto përpjekje grupi fitoi edhe çmimin e dytë, midis 110 shkollave të mesme pjesëmarrëse, në Olimpiadën e Parë Ndërkombëtare të Katastrofave Natyrore dhe Teknologjike “Better knowledge against disasters", konkurs ndërkombëtar, organizuar në kuadër të projektit BeSafeNet, i zbatuar nga Mbrojtja Civile e Qipros / Ministria e Brendshme, dhe i sponsorizuar nga Marrëveshja Evropiane dhe Mesdhetare e Rreziqeve të Mëdha (EUR-OPA), duke u paraqitur denjësisht në Këshillin e Europës në Strasburg.

Ky grupim vazhdoi me pastrimin dhe studimin e bregdetit tonë duke u ndalur tek Gjiri i Rodonit, pranë kishës së Shna Ndout, në Kepin e Rodonit, ndryshe quajtur Kepi i Skënderbeut.

Ekipi i vullnetarëve dha mbështetje edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, por po ashtu edhe gjatë pandemisë.

Me heqjen e kufizimeve të mbylljes nga pandemia, ekipi vullnetar filloi të organizohej për të vazhduar misionin e tij në ndihmë të komunitetit: “Pastrimin e brigjeve të detit dhe lumenjve”, tani edhe më të vendosur për të krijuar një organizatë jofitimprurëse nën emrin “Youth for NatureAlb” me vullnetarë që kanë si pikësynim mbrojtjen dhe shpëtimin e Tokës, pasi menduan se Covid-19 erdhi si rrjedhojë e prishjes së ekuilibrit Natyrë-Njeri.

@Rivercleanupalb mori emrin si një nismë vijuese e @Rivercleanup, e cila ndërmerr aksione në 30 vende të globit për pastrimin e lumenjve me vullnetarë, që aspirojnë mbrojtjen dhe shpëtimin e Tokës, të cilët njihen si “River Warriors – Luftëtarë të Lumenjve”, nën moton “Clean locally, celebrate globally – Pastro lokalisht, festo globalisht”.

Disa nisma morën jetë në sajë të këtij bashkëpunimi në lidhje me pastrimin në bregun e Erzenit, në grykëderdhjen e lumit Erzen dhe lumin Ishëm.

Luftëtarët e lumenjve marrin nën kujdestari lumin Ishëm

Aksioni i fundit u zhvillua më 19 shtator 2020, në Ditën Botërore të Pastrimit “World Clenaup Day” me qëllim pastrimin e Lumit Lana, degë e lumit Ishëm. Duke nisur nga fshati Lanabregas, pranë burimit të lumit Lana, i cili sipas studimeve rezulton të jetë burimi më i madh i ndotjes në grykëderdhje.

Në ditën e Pastrimit të Globit-Botës, u bënë bashkë plot 31 Luftëtarë të Lumenjve dhe u nisën tek pika e parë ndotjes së lumit Ishëm, pikërisht në Lanabregas, aty ku përroi Lana rrethohet me gardhe e inerte ndërtimesh nga banorët, dhe ku nuk ke nga të futesh të pastrosh!

Vullnetarët tregojnë detaje të tjera: "Shkuam edhe për pastrim përgjatë përroit Lana, tek ura e Astirit, Tiranë. Ajo që evidentuam është se nevoja për rehabilitimin e përroit Lana është emergjencë, vendosja e filtrave pranë urave po ashtu, në këto pjesë të kthyera në kosh të vërtetë për banorët e zonave!

Koshat ishin fare pranë banorëve, pranë urave, por plehrat i gjeje ngado në këto zona, çka tregon edukata qytetare lë shumë për të dëshiruar".

Nismëtarët kanë dhe një apel: "Bashkohu me ne të sensibilizojmë sa më shpejt pastrimin e lumit më të ndotur në Evropë, aty ku është përqëndruar popullsia e Shqipërisë, pranë lumit Ishëm".

Sipas TheOceanCleanup, lumi Ishëm, është lumi më i ndotur në Evropë me 733,000 kg mbetje/vit, që përfundojnë në detin Adriatik.

Ajo që këta vullnetarë duan të bëjnë është t’i kthejnë dinjitetin lumit Ishëm siç ka emrin, “lumi i hijshëm”, të mbrojnë bukurinë e Kepit të Rodonit që ndotet nga ky lumë, dhe kjo realizohet në bashkëpunim me përvojën e Rivercleanup, përmes: 1.Pastrimit të lumit me duart e njerëzve dhe me teknologjinë e fundit të TheOceanCleanup; 2.Edukimit të fëmijëve dhe të rinjve në shkolla dhe universitete; 3.Transformimin nga ana e kompanive dhe e qeverisë.