Transmetuar më 27-09-2020, 09:09

Gentjan Muça nuk është më lojtar i Tiranës. Një prej futbollistëve më të mirë të ekipit pritet që t’i bashkohet Prishtinës në kampionatin e Kosovës.

Një rrufe në qiell të hapur mund të konsiderohet kjo lëvizje e kryeqytetasit.

Në rrjetet sociale ai ka zbuluar edhe arsyen përse u largua nga Tirana, me të cilën vitin e fundit u shpall kampion.

“Me ty u linda, me ty u rrita… Dhe jo vetëm, por me ty e ndava gëzimin dhe hidhërimin. Ty të kushtova rininë dhe karrierën time dhe si këmbim mora mbrapsht diçka që nuk blihet me para. Mora më të bukurën prej teje, mirënjohjen, dashurinë dhe duartrokitjet e të gjithë tifozerisë bardh e blu.

Ndaj për respekt të të gjithë dashamirësve bardh e blu, ndjej detyrim të sqaroj se largimi im nga KF Tirana erdhi për arsye profesionale.

Kam akoma mundësi për të kontribuar në fushën e blertë. Faleminderit për gjithçka. Gent Muça, njoni prej jush! Gjithmonë bardh e blu”, shkruan Muça. /k.k/noa.al/