Transmetuar më 27-09-2020, 19:41

Kategoria Superiore nuk tërhiqet, bojkoti do të vazhdojë, por ngjan si shumë enigmatike protesta e tyre, e mbështetur edhe nga FSHF.

Duket se futbolli shqiptar, prej pandemisë, është zhytur aktualisht në një krizë të rëndë financiare. Qeveria ka heshtur mbi kërkesat që kanë ngritur klubet, duke injoruar pretendimet e Ligës profesioniste deri tani, por nuk dihet sa do të vazhdojë bojkoti.

Nëse Superiorja është në një krizë të tillë, kampionatet më poshtë, ndodhen në një situatë edhe më të rëndë financiare.

Pas Apolonisë dhe Kastriotit, në Fier, që zbritën në fushë ditën e djeshme, edhe skuadrat e Superiores zbritën sot në orën 16:00 në fushë, por vetëm në formë simbolike.

Futboll nuk do të ketë as këtë javë, ndonëse ishte parashikuar që kampionati elitar të startonte më 12 shtator. Të gjitha skuadrat dolën në fushë vetëm për protestë.

Të gjithë kapitenët e skuadrave kanë lexuar një letër, duke shprehur vullnetin e Ligës Profesioniste për të vazhduar bojkotin deri në plotësimin e kërkesave nga qeveria.

“Bashkohu më ligën, Bashkohu më ne!”, thuhej në citimin e kapitenëve. Ajo që nuk kuptohet është sesi mund të protestojë Kukësi, skuadra që drejtohet nga kryebashkiaku socialist Safet Gjici, apo Partizani, ekipi i vëllait të kryeministrit Edi Rama, ndaj qeverisë?

Por po ashtu, thuajse të gjitha ekipet, shumica e tyre janë në varësi të bashkive, që drejtohen nga pushteti lokal. Bashkia e Tiranës, edhe pse ekipi bardheblu është nën drejtimin e Refik Halilit, investon me rreth 33 për qind të aksioneve dhe nuk e ka shitur pronësinë.

Vetëm Vllaznia dhe Skënderbeu besohet se janë skuadrat e vetme, në Superiore, pa ndonjë varësi nga qeveria.

Edhe dy sfidat kryesore të planifikuara për këtë javë Teuta-Kukësi dhe Vllaznia-Tirana i janë bindur bojkotit të Ligës Profesioniste. Në fushën e “Reshit Rusi”, dy kapitenët Erdenis Gurishta dhe ai i Tiranës lexuan deklaratën unanime të skuadrave të Superiores për plotësimin e 4 kërkesave kryesore të Ligës Profesioniste ndaj qeverisë.

Edhe në fushën e “Niko Dovanës” nuk është zhvilluar takimi Teuta-Kukësi. Kapitenët e zgjedhur të të dyja kampeve Renato Arapi (Teuta) dhe Blerim Kotobelli udhëhoqën “ritualin” e bojkotimit të kampionatit.

Kukësi ka ndarë mesazhin e klubeve, mbi kërkesat e tyre:   

Ne futbollistët e skuadrave të Kategorisë Superiore vazhdojmë protestën tonë në mbështetje të katër kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar qevesrisë shqiptare.

Së bashku me ne në këtë protestë sot janë bashkuar edhe futbollistët e rinj të akademive që janë e ardhmja e futbollit.

Të gjithë së bashku duam që zëri ynë të dëgjohet për të siguruar një të ardhme sa më të mirë për lojën tonë të dashur, futbollin.

Ne jemi të bindur që kërkesat drejtuar qeverisë janë rruga e shpëtimit për futbollin dhe sportin në përgjithësi.

Vetëm kështu mund të shpresojmë në një të ardhme më të mirë.

Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin, sepse besojmë se sporti është lënë në harresë ndër vite. Dhe si një e mirë publike, të gjithë politikanët duhet t’i kthejnë sytë nga sporti.

Presim sa më të shpejt një reagim pozitiv nga ana e qeverisë për të ardhmen e sportit në Shqipëri.

/NOA.al