Transmetuar më 28-09-2020, 11:00

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur “hapi thesin” duke subvencionuar pagat dhe duke iu ardhur në ndihmë pensionistëve.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, deklaroi se sipas Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe sipas vendimit të Qeverisë së datës 13 gusht, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ndahen 60 milionë euro, ndarja behët për subvencionimin e pagave për bizneseve aktive.

“Kjo ndarje bëhet bazuar me numrin e të punësuarve, të deklaruar në deklaratën e tatimit të muajit dhjetor 2019 që plotëson kushtet në vijim: të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv për muajin korrik dhe të kenë të dorëzuar deklaratën tremujore. Subvencionimi përfshin edhe për bizneset e regjistruara për periudhën janar-gusht 2020, ku në këtë rast subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve për muajin korrik 2020. Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët”, u shpreh Bajrami.

Më tej deklaroi se gjatë mbledhjes janë ndarë edhe 7.5 milionë euro për subvencionimin e skemës pensionale.

“Ndahen 7.5 milionë euro për subvencionimin e skemës sociale për periudhën tetor-dhjetor 2020. Kjo pagesë kryhet në baza mujore me pagesën e rregullt të skemës sociale”, tha Bajrami.

Në vijim shtoi se ndahen 12 milionë euro për subvencione dhe 1 milionë euro për përkrahjen e ndërmarrjeve publike si dhe dyfishohen subvencionet për bujqit. /a.y/noa.al