Transmetuar më 28-09-2020, 16:49

Në kohën kur drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj për Bledar Jambellin që akuzohet si urdhërues i vrasjes së Artan Cukut, familjarët e ish kryekomisarit të ndjerë hapin një beteje të re gjyqësore.

Pak ditë më parë, e veja e Cukut dhe vëllezërit e tij i janë drejtuar gjykatës Administrative me një kërkesë për shpërblim demi, nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.

Në dokumentat që disponon News 24 dhe “BalkanWeb” rezulton se familjarët kërkojnë nga institucionet shtetërore t’i dëmshpërblejnë për dënimin pasuror dhe jopasuror që iu ka ardhur si rezultat i humbjes së jetës së familjarit të tyre, të ndjerit Artan Cuku për shkak të detyrës së tij, si ish-drejtues i Policisë së Shtetit.

Çështja është shortuar dhe së shpejti palët pritet të përballen në sallën e gjyqit. Artan Cuku është shpallur dëshmor i Atdheut, përderisa hetimet nxorën në dritë faktin se ai u ekzekutua për shkak të detyrës si zyrtar i Policisë së Shtetit.

Por ndërkohë, urdhëruesi i vrasjes dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë ende nuk janë dënuar nga drejtësia.

Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci mundën tu shpëtonin dhe prangave, dhe fituan statusin si azilant në shtetin grek. I vetmi i dënuar për krimin është Mikel Shallari, i cili ka patur rolin e ekzekutorit. Ky i fundit mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu për hetruesit emrat e urdhëtuesve të krimit, duke përfituar në këmbim një dënim me vetëm 10 vite burgim.