Transmetuar më 28-09-2020, 17:08

Kapiteni i Tiranës, Gentian Muça u largua pas 8 vitesh, në momentin më të mirë për bardheblutë.

Ai iku pak muaj pasu u shpall kampion me Tiranën, në prag të sezonit të ri, për të firmosur në IPKO Superliga me ekipin e kryeqytetit, Prishtinën.

Ish-mbrojtësi bardheblu u prezantua nga klubi kosovar, si dhe ka thënë edhe fjalët e para.

“Prishtina ka arritur me marrëveshjen me ish-kapitenin e Tiranës, Gentian Muça. I lindur më 13.05.1987 në Tiranë, pothuajse tërë karrierën futbollistike e ka kaluar si futbollist i Tiranës dhe kur ka ndërruar klub ka qenë i huazuar, si në Bylis, Dinamo e Tiranë dhe Kukës” – thuhet në njoftimin e Prishtinës.

“Ndërsa ka qëndruar edhe tek Vllaznia e Shkodrës dhe Flamurtari i Vlorës. Muça, me shumë përvojë, me Tiranën në edicionin 2019/20, si kapiten i skuadrës, është shpall kampione pas dhjetë vitesh mungesë titulli”.

Ndërsa vetë mbrojtësi, u shpreh: “Janë lëvizje që e pasojnë njëra tjetrën. Gjithsesi, pa dashur të merrem me të kaluarën, dua të fokusohem për të ardhmen. Pra, tek Prishtina. Jam i lumtur që gjendem këtu, në këtë qytet, kryeqytet, ashtu sikurse edhe Tirana dhe jam shumë i emocionuar për aventurën e re”.

Pse Gentian Muça zgjodhi Kosovën?

“Vitet e fundit, futbolli në Kosovë ka qenë në fokusin jo vetëm të shtetit të Kosovës, por edhe në Shqipëri dhe jo vetëm për atë çfarë është zhvilluar në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, nga ajo se çfarë ka bërë shteti që të zgjohet interesi, vëmendja jo vetëm e publikut, por i tërë ambienti sportiv duke përfshirë edhe lojtarë shqiptarë të cilët kanë ardhur dhe luajnë këtu. Falë të gjitha këtyre gjërave, mund të them që futbollin në Kosovë e njoh”, tha ai.

“Sigurisht që e njoh Prishtinën dhe më ka ardhur shumë keq që dy herët e fundit e ka humbur kampionatin në ndeshjen e fundit. Gjithashtu Prishtinën e kam ndjekur edhe prej profesor Mirel Josës. Kam shumë pritshmëri, e njoh organikën e skuadrës dhe dy blerjet e fundit nga Shqipëria, si Lilaj dhe Mici, të cilët i njoh më mirë”, – shtoi ish-kapiteni i bardhebluve.

“Sigurisht që jo vetëm tek pritja e pjesëmarrjes në garat e Evropës, por, pa dashur të flas sepse jam i ri, por po e besoj se janë të gjitha mundësitë për t’u shpall kampion duke e marr shkas edhe gabimet që kanë mundur të bëhen në ato vite që ekipi e ka humbur titullin në ndeshjet e fundit”, u shpreh Muça.

/NOA.al