Transmetuar më 28-09-2020, 19:18

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe e Rinisë, Evis Kushi, sot pati dhe zhvilloi pranë ambienteve të MASR “një takim të frytshëm me rektorët e universiteteve publike në vend” – siç tha ajo, – “me të cilët diskutuam mbi fillimin e vitit të ri akademik, masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit në kushtet e pandemisë së COVID-19, si dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë në fokus rritjen e cilësisë së arsimit të lartë”.

Në takim, edhe pse i zhvilluar në një ambjent të mbyllur është parë që rektorët nuk kanë respektuar masat anti-Covid, si në distancën e mbajtur, ashtu edhe duke mos mbajtur maska, sikurse kanë vepruar njësoj edhe vetë ministrja Kushi si dhe zv-ministri krah saj, Olti Rrumbullaku.

Ambjenti i krijuar ngjasonte si në një klasë me nxënës dhe mësues, ku si rregull i vendosur nga ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë, për ata që janë mbi 12 vjeç, maska është e detyrueshme.

Megjithatë, – “gjatë bashkëbisedimit me ta dhe duke i uruar gjithësecilit për detyrën e marrë, theksova njëkohësisht nevojën e një bashkëpunimi të thelluar institucional në funksion të adresimit të çdo problematike që rrit cilësinë e shërbimeve ndaj studentëve tanë. Për këtë, iu shpreha qartë se dera ime do të jetë gjithmonë e hapur dhe unë do të jem përherë e predispozuar për t’i dëgjuar dhe adresuar me sukses sfidat tona të përbashkëta” – u shpreh ministrja Evis Kushi.

“Ndërkohë, vëmendja e veçantë që qeveria shqiptare i ka kushtuar, i kushton dhe do t’i kushtojë përherë PaktitPërUniversitetin, kërkon gjithashtu angazhim të shtuar nga universitetet ku secili prej tyre duhet të bëjë maksimumin për të çuar më përpara detyrimet që rrjedhin në kuadër të tij” – tha Kushi, e cila zuri vendin e Besa Shahinit, rreth dy javë më parë, teksa zhvilloi sot mbledhjen e parë me përfaqësuesit e lartë të universiteteve publike.

/NOA.al