Transmetuar më 29-09-2020, 12:39
Arber Cekaj

I dënuar me 14 vite burg nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas sekuestrimit të 613 kilogramë kokainë në kontenierin me banane në portin e Durrësit, Arbër Çekaj kërkon pafajësinë.

Kjo pasi gjatë gjithë kohës ka pretenduar se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike të fshehur në kamionin e kompanisë së tij “Arbi Garden”.

Nëpërmjet avokatit të tij, Çekaj apelon vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, pasi mohon të ketë gisht në trafikun e drogës.

Në shkallën e parë në 15 shtator, Çekaj u dënua me 21 vite burg por përfitoi uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë Donald Lushaj u dënua me 16 vite, dënim i cili nga gjykimi i shkurtuar shkoi në 10 vite e 8 muaj.

Për shoferin Armando Pezaku, u dha dënimi me 13 vite burgim, i ulur 8 vite e 8 muaj.

Çekaj dhe dy të tjerët akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafik ndërkombëtar droge”, kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al