Transmetuar më 29-09-2020, 13:29

Dy vite nga masakra në ish-Bllok, policia dhe prokuroria ka arritur të gjejë pistoletën e krimit. Me armën tip “Glock”, Eugert Lazaj, bosi i kompleksit “Adorions Palace” rezulton të jetë vrarë me një plumb. Kjo pistoletë është përdorur në masakrën e 4 tetorit 2018, në lokalin “Monopol” në ish-bllok që administrohet nga Redi Popesku. “…arma që është gjetur në banesën e tij luksoze në Farkë, është një pistoletë tip “Glock…”-thonë burimet pranë policisë.

Pikërisht kjo armë, është kërkuar nga policia dhe prokuroria e Tiranës, menjëherë pas masakrës, në lulishten rreth Piramidës dhe në Lanë, por nuk është arritur te gjendet.

Në 2018 kontrolli është realizuar natën, dhe nga sa mësohet në këtë kontroll të terrenit, kanë asistuar nga afër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj. Për disa orë është realizuar këqyrja e gjithë terrenit në zonën e Piramidës dhe një pjesën e dy skarpateve të lumit Lanë, me shpresën e gjetjes së armës, por pa rezultat. Sipas burimeve, arma që Marviol Bilo ka përdorur, i përket Redi Popeskut, të cilën ai e dispononte pa lejë, por pas ngjarjes e deklaroi të humbur. Me pistoletën e gjetur në banesën e Lazaj në datën 30 korrik 2020, mbeti i vrarë Fabiol Gaxhaj, dhe u plagos biznesmeni Ervis Martinaj dhe miku i tij, Elion Hato.

Por dy vite pas kësaj ngjarje, pistoleta çuditërisht është gjetur nga policia në banesën e bosit të kompleksit “Adorions Palace”, Eugert Lazaj. Ky i fundit në 30 korrik u konstatua nga familjarët i pajetë, në një nga dhomat e vilës së tij në Farkë, dhe shumë pranë trupit të Lazaj, policia gjeti dhe një pistoletë tip “Glock”.

Sipas raportit mjeko-ligjor viktima, Lazaj kishte një vrimë hyrëse me puthitje në anën e djathtë të kokës dhe vrima e daljes në anën e majtë të kokës. Një tjetër dëmtim i lehtë pasqyrohet në gishtin e madh të dorës së djathtë, që besohet se mund të jetë shkaktuar nga mekanizmi lëvizës i shulit të armës, teksa ka kryer qitjen. Hetimet për këtë ngjarje që po drejtohen nga prokurori Etion Kapo, dhe oficerët e policisë së Tiranës, kanë zbuluar se arma që Lazaj ka përdorur për vetëvrasje, ishte pistoleta që është përdorur nga Marviol Bilo, në masakrën e ish-bllokut.

Nuk dihet se në çfarë rrethanash dhe është ende e paqartë se si kjo armë ka përfunduar në dorë të biznesmenit Lazaj. Aq e paqartë është dhe vetëvrasja e tij, brenda në vilën në Farkë. “Shqiptarja.com” mëson se një konkluzion i tillë është arritur të nxirret nga konkluzioni i ekspertizës balistike të pistoletës, e cila u konfirmua të ishte e njëjta. Për të qenë më të bindur, tashmë policia ka kërkuar një ekspertim të dytë, ku do riekspertohen gëzhojat e gjetura brenda ambienteve të lokal “Monopol” me gëzhojën e gjetur në banesën e biznesmenit Eugert Lazaj.

I njëjti verifikim do të kryhet me predhat e qitura nga kjo armë. Tashmë dy vite pas kësaj ngjarje, prokuroria ka mbyllur hetimet, duke marrë të pandehur biznesmenin Ervis Martinaj dhe mikun e tij, Elion Hato, për akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “Fshehje të ardhurash”, “Falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit” dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit”. Ndërkohë çështja hetimore ndaj ish-komandos Marviol Bilo, Ervin Matës dhe tre personave të tjerë vijon të jetë ende nën hetim, ku pritet që shumë shpejt ata të merren të pandehur dhe dërgohen në gjykatë nga prokuroria e Tiranës.