Politikanët vendas të korruptuar? Qyteti rumun zgjedh një gjerman për kryetar bashkie
Transmetuar më 29-09-2020, 21:54

Nga Enver Robelli (gazetar i Tagesanzeiger)

Jeni dëshpëruar me politikanët lokalë? Me sulltanët provincialë që nuk punojnë gjë?

Me bajraktarët që qeverisjen e shohin si mundësi për të ndukur nga ndonjë tender publik?

Jeni lodhur nga korrupsioni? Papastërtia? Mosfunksionimi i shërbimeve elementare komunale?

Qe ilaçi: zgjidhe një gjerman!

Kështu kanë vepruar zgjedhësit në Temishvar të Rumanisë. Në këtë vend të BE-së në fundjavë janë mbajtur zgjedhjet komunale.

Në katër vitet e ardhshme kryetar i Temishvarit do të jetë gjermani Dominic Fritz. Ai nuk është gjerman nga pakica gjermane e Rumanisë.

Fritz është lindur në trevën e Schwarzwaldit në Gjermaninë jugore. Në Rumani ai erdhi pasi kreu maturën në Gjermani.

Erdhi për të ndihmuar në një qendër për kujdesin ndaj fëmijëve në Temishvar. Pastaj Fritz u kthye në Gjermani, ku ishte anëtar i Partisë së Gjelbër dhe shef i kabinetit të presidentit gjerman Horst Köhler.

Por Fritz vazhdoi ta ruajë lidhjen me qytetin e Temishvarit dhe më 2019 u shpërngul përfundimisht në këtë qytet të Rumanisë veriore, në trevën historike të Banatit.

Temishvari është qyteti i tretë për nga madhësia në Rumani. Që nga viti 2016 Rumania ka edhe një president me origjinë gjermane: Klaus Iohannis.

Por Iohannis është gjerman i Rumanisë, më parë ka qenë kryetar i qytetit Sibiu (Hermannstadt). Në këtë qytet një pjesëtare e pakicës gjermane mbetet kryetare.

Në një komunë të Bukureshtit ka fituar francezja Clothilde Armand. Rumania duket se po shndërrohet në një laborator interesant demokratik.

Kur s’je i kënaqur me politikanët vendorë, gjej ndonjë tjetër në Perëndim. Kjo duket të jetë maksima e re.

Diaspora e fuqishme rumune ka qenë mjaft aktive edhe në organizimin e protestave kundër kastës së korruptuar politike në Rumani.

Beteja ka qenë pjesërisht e suksesshme. Por beteja vazhdon. Edhe nga diaspora, me votat e të cilës më 2016 qe zgjedhur president Klaus Iohannis.