Transmetuar më 29-09-2020, 23:12

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, përmes një postimi në Twitter, ku thekson se kjo ditë e gjen Shqipërinë pa Teatrin Kombëtar.

Basha shprehet se teatri u shemb nga barbaria e qeverisë, pasi u kthye në një vijë ndarëse mes qytetarëve dhe regjimit.

Gjithashtu kryedemokrati thekson se kur ai të vijë në pushtet do t’a rindërtojë Teatrin Kombëtar aty ku ishte dhe siç ishte.

“Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Shqipërinë pa Teatrin Kombëtar, që u shemb nga regjimi si dëshmi e barbarisë dhe urrejtjes që kjo qeveri ushqen për vlerat dhe institucionet e kombit tonë.

Teatri Kombëtar nuk ishte thjesht një institucion i kulturës dhe një gjurmë elegante e trashëgimisë tonë. Falë rezistencës së artistëve, aktivistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës, ai u shndërrua në një vijë ndarëse ndërmjet regjimit dhe qytetarisë.

Rikonfirmoj angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike se Teatrin Kombëtar do ta rindërtojmë siç ishte aty ku ishte dhe ata që e sulmuan dhe e shembën brutalisht do të dalin përpara drejtësisë për këtë krim të rëndë ndaj kulturës, qytetarisë dhe mënyrës tonë të jetesës”.- shkruan Basha.