Transmetuar më 04-10-2020, 13:13

Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, prof. Dr. Neritan Ceka ka folur për përballjen e tij me COVID-19.

Ai tha sot se e ka respektuar karantinën dhe nuk është në gjendje të kuptojë se nga u infektua, pas daljes.

“Kam respektuar si të gjithë njerëzit, 3 muaj karantinën. As unë dhe bashkëshortja nuk mund të identifikojmë se ku e kemi marrë apo se si jemi infektuar” – theksoi Neritan Ceka.

Në një intervistë për “ABC News”, Ceka foli për mënyrën se si u përball me koronavirusin, për gjendjen e tij shëndetësore dhe të bashkëshortes së tij.

“Pëson një rënie drastike dhe nuk kupton që je në një situatë të tillë. Ishte një telefonatë me doktor Alfred Agën, i cili më tha se janë tri alternativa, të shtrohem në spital, të mjekohem në shtëpi apo të nisesha për Turqi. Vendosa të mjekohesha në shtëpi”, – tregoi Ceka.

Ceka krikikoi sistemin shëndetësor për të cilin tha se është ngritur mbi cinizmin.

“I telefonuam 127-ës që ditën e parë, por erdhën pas tre ditësh. Na bënë tamponin, kur arritëm tek oksigjeni na erdhi përgjigjja negative. Mora në telefon sërish 127 dhe mu komunikua që të merrja aksitromicinë, ndërsa për recetë më thanë të shkoja në farmaci. Në këto raste duhet të ketë ndihmë sociale, ne tashmë jemi një çift pensionistësh. Shteti nuk ka asnjë interes”- tha ish-ministri dhe ish-deputeti i disa legjislaturave.

“Një pensionist, shtetit i duket një qenie e padobishme. Tani përballesh me shtetin cinik. Ne kemi nevojë për infermierë, duhen dy infermierë, 80 mijë lekë, ditën e dytë shpenzuam pensionin e bashkëshortes për dy infermierë. Kam pasur telefonata për të më ndihmuar. Po ashtu një solidaritet i qytetarëve, për shtetin jo,” – theksoi ndër të tjera në intervistën e tij, Neritan Ceka, një ndër politikanët e prekur nga Covid-19, në vendin tonë.

Përse zgjodhët të kuroheshit në shtëpi?

Përballja me COVID-19 është psikologjike. Ti je i sëmurë dhe me vështirësi lëviz. Po ashtu mendimi që je i lidhur me shtëpinë, psikologjikisht është diçka krejt tjetër. Pesë ditët e para duhet t’ia tregosh Zotit, kaq të vështira janë. Pra është një forcë e madhe psikologjike.

Si ka qenë vijimësia e sëmundjes, dinamika?

Ke tre ditë që je i shkëputur nga realiteti, më pas nuk merr dot frymë, dhe prej 10 ditësh nuk fle dot, ditën dhe natën. Për fat të mirë nuk pata humbjen e shijes, nuhatjes. Solidariteti, të afërmit, janë një ambient lehtësues. Mendoni 15 ditë të mos flesh, ndonjëherë djali shprehej se ndonjë moment mund të fleja, por kolla është një gjendje e vështirë.

Ditën e dytë, pensionin mujor e keni konsumuar për medikamentet, keni një përllogaritje të shpenzimeve?

Nëse do të llogaris edhe ardhjen e dy djemve për të më parë, shkon rreth 5 mijë euro, me të gjitha shpenzimet, aparaturat. Shtetit tonë i mungon detyra humane. Ky është vërtet një shtet rrumpallë. Njeriu kur ka qenë në cak të vdekjes, mendon çfarë mora nga kjo jetë. Ky është edhe problemi me shtetin që është ndërtuar… dhe kur je në vështirësi nuk janë aty për qytetarin. Këta kanë një armiqësi ndaj atyre që janë dikush, kjo është karakteristikë e diktaturave.

Çfarë po ndodh çdo ditë me Covid, dhe kush i merr masat për parandalimin e Covid-19?  

Jep një urdhër atje ku është në Surrel dhe të gjithë mbyllen dhe urdhrat i jep si babai i Kombit. Të gjithë u mbyllëm, tre muaj që ikën kot. Pjesa më e madhe e njerëzve as nuk e dinë që e kanë kaluar.  Duhet të përgatiten spitale për raste më të rënda.

Nëse nuk do të kisha Alfred Agën do të kisha kaluar në intubim. Qeveria duhet të kujdeset për rastet që duhet të trajtohen në shtëpi dhe rastet e rënda në spital, kosto që shkon në 150 milionë euro. Ky vit duhet të jetë viti i kurimit të njerëzve.

Pandemia e COVID-19 mund të sjellë një rend të ri botëror?

Absolutisht jo… Fillimisht ashtu mendova, por kemi harruar që statistikat e gripit nuk janë pa viktima. Pra nëse merren masa, nëse sigurohen qytetarët me një kurim efikas në shtëpi, duke hequr Komitetet apo Task Forca, marrëzira pa fund… E po ashtu, të shtohen, infermierët, mjekët familjarë, punonjës socialë…