COVID-19/ Regjistrohen 191 raste të reja dhe 3 të vdekur në 24 orët e fundit në Maqedoni, bien ndjeshëm shifrat në Kosovë
Transmetuar më 04-10-2020, 15:24

Në Kosovë rastet kanë rënë ndjeshëm, ndryshe nga ç’paraqitet situata në Maqedoninë e Veriut. Prej shumë ditësh edhe në Shqipëri shifrat luhatet mbi 100 raste në ditë, por nuk kanë kaluar asnjëherë shifrën 200. Ndërkohë që dy vendet fqinje sapo kanë bërë sot përditësimin e situatës së parqitur në 24 orët e fundit, pritet që edhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, të bëjë si gjithmonë pas orës 16:00 përditësimin e të dhënave më të fundit.

Kosovë: 56 raste të reja pozitive, asnjë i vdekur

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi sot, se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsej 567 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 56 raste pozitive.

Sipas institutit, brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

“Numri total i rasteve pozitive është 15.814 raste nga 70.219 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 630 raste të vdekjes”.

“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 69 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.856 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.328.

Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 16 raste, komuna Pejë 11 raste, komuna Gjilan 8 raste, komuna Deçan 3 raste, komuna Ferizaj 3 raste, komuna Fushë Kosovë 3 raste, komuna Gjakovë 3 raste, komuna Istog 2 raste, komuna Suharekë 2 raste dhe me nga një rast Drenas, Malishevë, Obiliq, Prizren dhe Viti”, thuhet në njoftim.

Maqedoni e Veriut: 191 raste të reja, 3 të vdekur në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit janë regjistruar 191 raste ndërsa janë bërë 1350 testime.

Më tepër raste janë evidentuar në Shkup-96, Tetovë-15, Koçani-15, Gostivar-4, Gjevgjeli-4.

Instituti për Shëndet Publik ka regjistruar 77 pacientë të shëruar, në 24 orët e fundit.

Tre persona në kushte spitalore kanë humbur jetën, si pasojë e Covid.

/NOA.al