Transmetuar më 05-10-2020, 19:58

Avokati i njohur Spartak Ngjela, ka ndërhyrë sot, në debatin që është ndezur kohët e fundit, nëse Avni Rustemi, njeriu që vrau në mes të Parisit Esat pashë Toptanin, duhet konsideruar "vrasës me pagesë”, apo "hero" siç trajtohet dhe njihet deri tani.

Historia e njeh Avni Rustemin si hero, ka sheshe, rrugë dhe shkolla që mbajnë emrin e tij, por disa pretendime që janë shtuar kohët e fundit, pretendojnë të kundërtën: Esat Pasha ishte ardhetar dhe Avni Rustemi “vrasës me pagesë”, madje pretenduesit kanë kërkuar që historia të rishkruhet.

Avokati Spartak Ngjela ka ndërhyrë sot në debat, duke rikthyer fjalët që ka thënë At Gjergj Fishta, i njohur edhe si një politikan i kohës, për vrasjen e Avni Rustemit, vrasje që mbeti pa një autor.

Nga Spartak Ngjela

“Për të gjithë ata beogradas të cilëve iu vra Esat Toptani; dhe që shqetësohen për Avni Rustemin:

Po iu postoj pjesën më të bukur të fjalimit të Gjergj Fishtës, në funeralin madhështor të Avni Rustemit…

Pjesë e fjalimit të Gergj Fishtës në varrimin e Avni Rustemit…

Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!"

/NOA.al