Transmetuar më 06-10-2020, 14:00

Teksa naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës së urisë, Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë për gjendjen e tyre.

Në konferencën e sotme për mediat, ai u pyet nga mediat lidhur me situatën e tyre, teksa foli për një privatizim kriminal.

“Kam bërë lloj-lloj lutjesh tek kompania për të rifilluar puna. Jo më larg se disa javë më parë shkova enkas në Azerbajxhan dhe takova Presidentin. Por të na vini faj është e tepërt. Privatizimi është kriminal dhe në atë ndërmarrje nuk u bënë kurrë investime serioze. Ajo rafineri është keqshfrytëzuar. Jam i shqetësuar por e rëndësishme është të bëjmë diçka, më vjen keq. Jam i informuar por nuk mendoj se s’ka nevojë për greva urie që të sensibilizojnë mua”, u shpreh Rama.

Ai tha se është super i sensibilizuar dhe se për situatën e tyre është ndërhyrë disa herë.

Naftëtarët janë futur në grevë pasi pretendojnë se kanë disa muaj, deri në mbi një vit rroga pa marrë, duke thënë se kanë mbetur në mes të rrugës dhe puna është ndërprerë dhe se pavarësisht protestës në Tiranë, askush nuk i priti.

Janë rreth 800 punëtorë të mbetur pa punë pas mbylljes së rafinerisë së naftës, që administrohet nga “Tosk Energji”. /a.y/noa.al

Naftëtarët e Ballshit në ditën e nëntë të grevës, rëndohet gjendja shëndetësore e tyre