Transmetuar më 07-10-2020, 16:37

Bashkëshortja e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Anita, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, lidhur me raportimin në mediat kosovare, se ajo është rrahur nga i shoqi, aq sa është detyruar të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.

Lidhur me ngjarjen, Anita Muçaj, e cila në profilin e saj Facebook, mban mbiemrin e vajzërisë dhe jo të bashkëshortit pas martese, ka reaguar duke e konsideruar lajmin mashtrim.

“Kam 20 vjet që punoj dhe jam pjesë e medias në Kosovë dhe sot shpreh keqardhje për nivelin e mediave dhe tendencës për të prodhuar lajme banale, tituj banal e thashetheme për dy klikime me shumë a më pak”, – tha Anita, e cila aktualisht është pjesë e radio-televizionit të Kosovës.

“Kam qenë shumë herë pjesë e lajmeve të tilla dhe e kam kuptuar që injorimi do te ishte formë e drejtë e përgjigjes së thashethemeve, por kjo e mbrëmshja ishte e pamundshme të injorohet, sepse unë jam nënë, motër, mike, shoqe e dikujt dhe normalisht ka shqetësuar dikë diku! Prandaj është e turpshme të prodhohen lajme kaq të ulta! Une jam shumë mirë dhe kam 17 vjet që jam shumë mirë me Ramushin!”, – tha bashkëshortja e ish-kryeministrit Haradinaj, në reagimin e saj.

Gazeta "Bota sot" mbrëmjen e djeshme dhe sot ka raportuar lajmin, madje ka mbrojtur verisionin, lidhur me sulmin e  ndodhur ndaj Anitës, në familjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.

Burime nga urgjenca e qytetit konfirmuan lajmin për "Bota sot", teksa kjo e fundit i referohet për rastin e dhunës familjare, në familjen Haradinaj.

Nga vendi i ngjarjes media kosovare raporton se ky rast ka ndodhur në familjen e Ramush Haradinaj dhe e dëmtuara në këtë sulm ka qenë pikërisht bashkëshortja e tij, Anita.

Bashkëshortes së ish-kryeministrit, sipas raportimit, i është dashur edhe ndihma mjekësore.

Të njëjtat burime thonë se fillimisht Haradinaj nuk i ka pranuar në shtëpinë e tij gjithë stafin e mjekëve, ndërsa në fund i ka lejuar vetëm dy prej tyre, për ta mjekuar Anitën.

Stafi mjekësor sipas “Bota sot”, ndonëse e kanë pranuar rastin të ketë ndodhur, nuk janë në gjendje për të dalë publikisht, pasi thonë se ndihen të rrezikuar.

Ndërkaq, ditët e fundit është përmendur edhe një rast i dhunës nga familja Haradinaj. Në këtë rast të publikuar nga mediat, thuhet se Ramush e Daut Haradinaj, para rreth tre muajve janë denoncuar në polici për “rrahjen e një punëtori të tyre”.

Megjithatë, pavarësisht lajmit, që sipas medias kosovare e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, asgjë nuk është deklaruar zyrtarisht nga kjo e fundit. Sipas “Bota Sot”, pas dy javësh ankuesi ka shkuar në stacion policor dhe ka kërkuar që rasti të mbyllet, çka do të thotë se ngjarja ka ndodhur pak javë më parë. Gjithsesi, Anita ka dhënë versionin e saj, duke mohuar kategorisht që të jetë dhunuar.

/NOA.al