Transmetuar më 13-10-2020, 11:23

Dhjetë naftëtarë të rafinerisë së Ballshit vazhdojnë të jenë në grevë urie, ndërsa të tjerë kërkojnë të futen në ambientet e brendshme të uzinës.

Ata thonë se kërkojnë të marrin dokumentet dhe librezat e punës.

Grevistët janë përplasur edhe me forcat e policisë që ruajnë uzinën, pasi bënë thirrje që të hapen dyert e saj.

“Përkrahje sociale, jo, rroga jo, asistencë jo. Më paqësore se kaq nuk ka ku të shkojë më. Na mashtruan na gënjyen. Puna nuk ka filluar akoma. Kjo është tallje e madhe. Do vdesim në grevë urie. Ne duam garanci, që për 6 muaj të mos jemi prapë në grevë”,  -tha njëri prej naftëtarëve.

Naftëtarët kërkojnë zgjidhje nga politika, duke i bërë thirrje edhe kryeministrit Rama, si dhe kreut të PD-së Basha.

“Nuk janë naftëtarët problematikë. Këta të lënë të vdesësh. Uljani rrogën atyre derrave, deputetëve. 3 milionë lekë për ca i duan. I bëjmë thirrje ambasadës amerikane të ndërhyjë. I bëj thirrje edhe kryetarit të opozitës të mos rrijë në hije. Na mbytën mafiozët. Të vijë këtu kryeministri i Shqipërisë”, – tha një tjetër naftëtar.

“O derman, të ka ardhur ora, thirri mendjes” – tha një tjetër naftëtar duke iu drejtuar kryeministrit Rama.

Ndërkohë paralelisht një paralajmërim ndaj qeverisë vjen edhe nga gratë, të cilat thanë se do të futen në grevë urie.

“Nëse nuk kemi një përgjigje, nesër do të futemi edhe ne gratë në grevë urie”, tha një grua.

Me dhjetëra nëftëtarë kanë muaj pa u paguar dhe kjo është arsyeja që ata janë futur në një grevë urie, grevë që po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë, pa marrë ende zgjidhje./NOA.al