Transmetuar më 16-10-2020, 01:34

Mhi mijë efektivë të policisë që kontrollohet nga Sandër Lleshaj dhe afro 2 mijë të tjerë që janë në varësinë e Erion Veliajt dhe krerëve të bashkive të tjera, u shpërndanë në terren nga kjo e enjte për zbatimin e aktit normativ që e ktheu të detyrueshme mbajtjen e maskës në çdo ambient tjetër përveçse në banesë.

Të gjithë efektivët e policisë janë pajisur me fletën e gjobës që shihni më poshtë, ndërsa në ditën e parë ata patën rol këshillimor ndaj të gjithë shkelësve.

Në rast konstatimi të shkeljes së Aktit Normativ, efektivët blu do të plotësojnë 3 kopje të gjobës, një e mban qytetari, një policia dhe një do të dërgohet tek OSHEE përmes së cilës do të bëhet dhe pagesa.

Efektivët e policisë rrugore do të jenë të përqendruar në kontrollin e automjeteve, ku qytetarët që janë të vetëm në makinë nuk janë të detyruar ta mbajnë maskën, në ndryshim kur kemi të bëjmë me më shumë se një person.

Për qytetarët që janë në rrugë, nuk do të ketë pika specifike kontrolli, por efektivët e policisë do të jenë të shpërndarë edhe nëpër lagje për të siguruar zbatimin në masë të mbajtjes së maskës.

Vlera e gjobës do të faturohet tek energjia elektrike, ndërsa të gjithë ata qytetarë që do të kapen pa maskë dhe nuk e kanë mjetin e identifikimit me vete, do të shoqërohen në komisariat ku edhe do të bëhet identifikimi i personit e më pas do t’i vendoset gjoba.