Transmetuar më 18-10-2020, 16:28

Rritja e numrit të pacientëve me hipertension apo diabet ka rritur dhe numrin e njerëzve që kanë probleme të theksuara me mosfunksionimin e veshkave.  Më shqetësues është fakti se sipas mjekëve nefrologë, 2 në 100 të prekur nga sëmundjet e veshkave janë të moshës nga 14 në 16 vjeç

Jeta sedentare dhe obeziteti janë ndër shkaqet kryesore që po ccojnë në rritjen e numrit të pacietnëve të cilët kanë probleme me veshkat.

Mjekët nefrologë pohojnë se sëmundjet e veshkave konsiderohen si vrasëse të heshtura dhe po ndikojnë në shkurtimin e jetëgjatësisë tek shqiptarët dhe konkretisht 8 në 100 persona vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave. “Sëmundjet e veshkave janë rritur në 82 për qind në 10-vjeçarin e fundit.

Në Shqipëri kjo shifër ka shkuar deri në 8 për qind dhe është jashtëzakonisht shqetësuese.

"Ne shohim që nuk arrijmë dot të ndalojmë këtë trend të sëmundjeve kronike”, thotë mjeku nefrolog, Myftar Barbullushi.

Funksioni kryesor i veshkës është eliminimi i toksinave nga gjaku dhe ujit të tepërt, si dhe kontrollojnë tensionin e gjakut.

Por rritja e numrit të pacientëve me hipertension apo diabet ka rritur dhe numrin e njerëzve që kanë probleme të theksuara me mosfunksionimin e veshkave.

Më shqetësues është fakti se sipas mjekëve nefrologë, 2 në 100 të prekur nga sëmundjet e veshkave janë të moshës nga 14 në 16 vjeç.

“Fakti që është shtuar obeziteti, jeta sedentare, që është ulur pjesëmarrja në sport dhe aktivitete lëvizëse; por edhe që fëmijët rrinë me tablet apo para kompjuterit kanë bërë që të rriten shumë mbipesha dhe natyrisht, për pasojë edhe diabeti”, thotë mjeku Barbullushi.

Mjekët rekomandojnë konsum të ujit gjatë ditës, larg kripërave dhe yndyrës, lëvizje të ngadaltë dhe jo të sforcuar, si dhe të ushqyerit shëndetshëm për t’i garantuar funksionim të mirë të veshkave që kanë rol kryesor në organizmin e njeriut.

Obeziteti dhe sëmundjet e veshkave

Sëmundjet e veshkave kanë më shumë mundësi të zhvillohen tek individët të cilët janë obezë, duke përfshirë këtu edhe ata të cilët janë me diabet dhe hipertension.

Mendohet që në vitin 2025, obeziteti të prekë 18% të burrave dhe më shumë se 21% të grave në mbarë botën, ndërsa forma e rëndë e obezitetit të prekë 6% të burrave dhe 9% të grave në botë.

Në disa vende obeziteti është i pranishëm në më shumë se 1/3 e popullatës adulte të vendit, dhe ndikon në mënyrë sinjifikante mbi shëndetin e dobët dhe mbi kostot e larta vjetore për medikamente.

Në popullatën e përgjithshme, obeziteti rrit rrezikun për vdekje dhe ndikon në sëmundjet e zemrës, diabet, hipertension, sëmundjen e fshikëzës së tëmthit, osteoartrit, kanceret e ndryshme, çrregullimet nervore, nivelin e lartë të kolesterolit, dhjamosjen e mëlçisë, si dhe në cilësinë e ulët të jetës.

Shifrat 

Rreth 850 milionë njerëz në mbarë botën është vlerësuar të kenë sëmundje të veshkave nga shkaqe të ndryshme. Sëmundjet kronike të veshkave shkaktojnë të paktën 2.4 milionë vdekje në vit dhe janë shkaktari i 6-të i vdekjeve.

Dëmtimet akute të veshkave prekin mbi 13 milionë njerëz në mbarë botën, dhe 85% e këtyre rasteve gjenden në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Si pasojë e këtyre dëmtimeve akute të veshkave është vlerësuar se vdesin rreth 1,7 milionë njerëz çdo vit.

Për më tepër, sëmundjet kronike të veshkave dhe dëmtimet akute të tyre janë kontribues të rëndësishëm në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet e tjera dhe faktorët e rrezikut, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, hipertensionin, obezitetin, si dhe infeksionet si HIV, malaria, tuberkulozi dhe hepatiti.

Gjithashtu, këto sëmundje te fëmijët jo vetëm që çojnë në sëmundshmëri dhe vdekshmëri të konsiderueshme gjatë fëmijërisë, por gjithashtu rezultojnë në probleme mjekësore përtej fëmijërisë në moshë më të rritur.

Sfidat për veshka të shëndetshme

Me gjithë barrën në rritje të sëmundjeve të veshkave në mbarë botën, kontrasti dhe pabarazia në kujdesin shëndetësor ndaj personave me sëmundje të veshkave janë ende të përhapura.

Sëmundjet kronike të veshkave dhe dëmtimet akute të tyre shpesh shkaktohen si pasojë e kushteve shoqërore në të cilat njerëzit lindin, rriten, jetojnë, punojnë, duke përfshirë moshën, varfërinë, diskriminimin gjinor, mungesën e arsimit, rreziqet në punë dhe ndotjen.

Transplantimi konsiderohet trajtimi me kosto më efektive i sëmundjeve kronike të veshkave.

Kërkesat për infrastrukturë fizike dhe ligjore, si dhe paragjykimet kulturore kundër dhurimit të organeve shpesh paraqesin barriera në shumë vende, duke e bërë dializën mundësinë e  parazgjedhur.

Këshilla dhe masat

Inkurajimi dhe adoptimi i stileve të shëndetshme të jetesës (akses për ujë të pastër, aktivitet fizik, dietë të shëndetshme, kontrolli ndaj duhanit).

Shumë lloje të sëmundjeve të veshkave mund të parandalohen, shtyhen dhe/ose mbahen nën kontroll kur ekzistojnë masat e duhura parandaluese.

Kryerja e depistimit për sëmundjet e veshkave në kujdesin shëndetësor parësor duke përfshirë (p.sh. testet e urinës dhe gjakut).

Depistimi i individëve me rrezik të lartë, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi është me kosto efektive për të parandaluar ose vonuar sëmundjet në veshka që shkojnë në fazën e fundit të sëmundjes.

Sigurimi që pacientët me sëmundje të veshkave të marrin shërbimet bazë shëndetësore për të cilat ata kanë nevojë (p.sh. presionin e gjakut, kontrollin e kolesterolit, medikamentet kryesore) për të vonuar progresin e sëmundjes pa vuajtur vështirësi financiare.

Thirrja për politika qeverisëse transparente, akses të barabartë dhe të qëndrueshëm në shërbimet e kujdesit shëndetësor të avancuar (p.sh., dializë dhe transplant të veshkave) dhe mbrojtje më të mirë financiare (p.sh. subvencionet) që sa më shumë burime të bëhen të disponueshme.

Thyerja e pengesave social-ekonomike dhe zgjerimi i qasjes në shërbime gjithëpërfshirëse për të plotësuar nevojat e popullsisë, janë thelbësore për të garantuar barazi dhe cilësi në kujdesin shëndetësor ndaj personave me sëmundje të veshkave.