Transmetuar më 19-10-2020, 01:02

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka apeluar tek disiplina e qytetarëve gjermane në luftë kundër përhapjes së virusit Corona.

“Takohuni me sa më pak vetë, brenda apo jashtë shtëpisë. Ju lutem: mos kryeni asnjë udhëtim që nuk është patjetër i nevojshëm, hiqni dorë nga çdo festim që nuk është patjetër i nevojshëm. Qëndroni, nëse është e mundur, në qytetin tuaj”, u shpreh Merkel në video-podcastin e saj javor.

“E di, se kjo nuk tingëllon vetëm e ashpër, dhe në raste të veçanta madje është shumë e vështirë të heqësh dorë nga disa gjëra”, pranon Merkel, por kjo do të jetë vetëm për një kohë të caktuar, e në fund të fundin njerëzit në Gjermani e bëjnë këtë edhe për veten e tyre.

“Për shëndetin e vet dhe të gjithë atyre, që mund t’ua kursenim sëmundjen. Për atë që sistemi ynë shëndetësor të mos mbingarkohet, që shkollat dhe kopshtet të qëndojnë të hapura. Për ekonominë tonë dhe vendet tona të punës.”

Se si do të jetë ky dimër, si do të jenë krishtlindjet tona, kjo vendoset këto ditë dhe javë, tha Merkel.

“Këtë e vendosim ne me sjelljen tonë”, është shprehur kancelarja gjermane, e cila në video-mesazhin e saj javor ka vlerësuar kujdesin e gjermanëve që duke respektuar rregullat bënë që Gjermania të përballojë krahasimisht mirë pandeminë në gjysmën e parë të vitit.

Ajo vlerësoi edhe punën e zyrave të shëndetësisë, por theksoi, se nëse pandemia përhapet kaq shpejt, nuk do mund të identifikohen dot kontaktet.

Që këtë javë po bëhet e qartë, se kemi arritur në “një fazë serioze të pandemisë”, tha Merkel.

“Ditë për ditë po rritet shpejt numri i infektimeve të reja. Pandemia po përhapet me shpejtësi, më shpejt se në fillim, para një gjysmë viti.”, shpjegon Merkel.

Pas një vere krahasimisht të relaksuar, para nesh qëndrojnë muaj të vështirë, tha Merkel. Tani duhet bërë gjithçka që virusi të mos përhapet në mënyrë të pakontrolluar. “Këtë moment llogaritet çdo ditë”, tha Merkel.

Të dielën, Gjermania raportoi 5248 të infektuar dhe 13 të vdekur. Deri tani janë mbi 366 mijë të infektuar dhe nga këta, 9866 njerëz kanë vdekur.