“Si është e mundur! Ata na premtuan se do ta zbulonin vaksinën në Shqipëri” – nga Artan Fuga
Transmetuar më 19-10-2020, 09:14

OPINION NGA ARTAN FUGA 

Media shumë serioze të Evropës Perëndimore iu referuan sot në mbrëmje deklaratave dhe informacioneve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë!

Sot punojnë 44 laboratore në botë për të prodhuar vaksinën anti Covid19.

Kompjutera gjigandë vëndosin në punë inteligjencën artificiale për të veçuar molekulën më të mirë për ta bllokuar veprimin e virusit mbi njeriun.

Pothuajse gjysma e laboratorëve janë në fazën e fundit të operacionit duke e provuar mbi njeriun dhe matur nëse ka pasoja sekondare, dhe a prodhojnë ato antitrupa.

Në punë janë kompjuterat më të fuqishëm në botë.

Me ritmet që po ecet, është shpejtësia më e madhe që njerëzimi ka arritur për prodhimin e një vaksine.

Laboratoret janë në një konkurrencë të pashoqe sepse në planin financiar fitimet etj., do të jenë super të mëdha.

Nga parashikimet ka siguri të konsiderueshme që vaksina do të jetë gati aty në trimuajt e parë të 2021.

Pra, duhet duruar edhe pak!

Kafshuar buza edhe pak!

Shtrenguar grushtet edhe pak!

Solidaritet edhe pak!

Veprimtari të panevojshme ose që mund të realizohen pak më vonë qetë fare dhe me cilësi nuk ka arsye të bëhen tani, do të ishte një budallallik!

Maska duhet mbajtur, dizifenkatët po ashtu përdorur, 2 metra larg njeri tjetrit, përqafimet rezervojini edhe pak!

Për një gjë më vjen keq: si është e mundur ata që na premtuan se do ta zbulonin vaksinën në Shqipëri, ca sharlatanë, nuk e mbajtën fjalën.

Të paktën të zbulojnë shkakun e tërmeteve!

/NOA.al