Transmetuar më 19-10-2020, 12:49

Klubet e Ketegorisë Superiore vendosën për vazhdimin e bojkotit.

Edhe mbledhja e kësaj të hënë, ku presupozohej se do të merrej vendimi për të hequr dorë nga bojkoti dhe për nisur menjëherë kampionatin, nuk ka sjellë asgjë të re.

Liga Profesioniste e Futbollit nuk lëviz nga llogorja: vendos të vazhdojë bojkotin deri në plotësimin e kërkesave nga ana e qeverisë.

Liga nuk ka hequr dorë nga vendimi i marrë dhe bojkoti vazhdon, teksa është marrë edhe një vendim tjetër, të cilat i shpjegon Edvin Libohova, presidenti i Ligës.

“Liga unanimisht vendosi që bojkoti të vazhdojë derisa qeveria të plotësojë kërkesat. Pika e dytë ishte se duke parë mënyrën se si është trajtuar emisioni sportiv në RTSH, që nuk është koherent dhe mbështetës për futbollin, Liga vendosi që të mos përsërisë me ta kontratën e bashkëpunimit për ‘highlights’ në sezonin që do të vijë. Këto ishin dy vendimet e marra sot”- tha Libohova.

Nesër pritet edhe një mbledhje tjetër.

Futbolli shqiptar është i vetmi në kontinent që nuk ka nisur sezonin e ri. Zgjidhja nuk po vjen, ndërsa kriza financiare po thellohet.

Disa klube si Luftëtari i Gjirokastrës kanë rreth një muaj pa stërvitje. Duket se klubet kërkojnë nga qeveria t’u zgjidhen problemet e shumta financiare, disa prej të cilave janë drejt falimentimit.

/NOA.al