Transmetuar më 20-10-2020, 12:45

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka mbërritur në Tiranë.

Kryediplomati helen në orën 11:45 minuta ka hyrë në Ministrinë e Jashtme Shqiptare.

Ai është takuar fillimisht me homologun Gent Cakaj. Të dy minsitrat respektuan protokollin, me maska dhe kur u përshëndetën, përdorën brrylin.

“Sot me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, z. Nikos Dendias, vlerësuam lart bashkëpunimin mes vendeve tona dhe theksuam fort rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe”, tha Cakaj, pas takimit.

“Duke marrë parasysh strukturat mbështetëse të Shqipërisë, vlen të theksohet se Greqia mbështet mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, duke marrë parasysh arritjet domethënëse të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”.

“Greqia, po ashtu, do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023”.

“Shqipëria dhe Greqia do të shtojnë ritmin e punës së përbashkët e do të thellojnë bashkëpunimin në çdo fushë të interesit të ndërsjellë”, – u shpreh minsitri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, duke mos e përmendur fare detin, as çështje të tjera të pazgjidhura me Greqinë.

Ministri grek është pritur nga protesta e organizuar nga PDIU-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, pjesëtarë të së cilës janë përplasur dhe nga Policia e Shtetit.

Në momentin që Dendias ka mbërritur dhe ka zbritur përpara ministrisë, protestuesit janë revoltuar dhe kanë nisur tentativat për të çarë kordonin policor.

Deri më tani janë shoqëruar 22 protestues, mes tyre dhe Bojken Abazi, kreu i VV-së në Shqipëri.

Protestat vazhdojnë, madje ato janë zhvendosur te kryeminsitria, ku pritet të mbërrijë pas pak Dendias.

Mes dy vendeve po diskutohen çështje ende të pazgjidhura, siç janë 12 miljet e detit Jon.

/NOA.al