Transmetuar më 20-10-2020, 13:49

Ka përfunduar para pak minutash, takimi te Ministria e Financave, mes përfaqësuesve të Ligës Profesioniste dhe qeverisë.

Pas këtij takimi, deputeti Fidel Ylli u shpreh:

“Sot kishim takimin e dytë me Ligën Profesioniste të futbollit. Ishte një takim ku në të shumtë e rasteve problemet e Ligës thuajse se janë të zgjidhura, kemi ngelur vetëm te problemi i Ligjit të Sponsorizimit. Edhe Ministrja ishte shumë bashkëpunuese sot” – tha Fidel Ylli.

“Kërkohet një konfirmim edhe nga qeveria për faljen e gjobave. Në qoftë se do të bëhet kjo, do të bëhet me një ligj specifik në parlament”.

“Kërkon një vendim politik, nuk mund të bëhet një falje vetëm për Ligën apo për futbollin, por do bëhet për të gjitha bizneset. Ne mendojmë që përgjigja përfundimtare do të jepet ditën e premte, mbasi ne të bisedojmë me kryeministrin, do t’i japim zgjidhje përfundimtare gjithë këtyre problemeve që Liga ka shprehur” – theksoi përfaqësuesi i qeverisë për zgjidhjen e çështjes në fjalë.

“Unë e kam thënë që në fillim, që kryeministri është shefi i qeverisë, por në fund të fundit kryeministri punon me stafet. Nuk mund të marrë vendime pa u konsultuar me ministren dhe grupin e punës”, tha Ylli.

“Do të jetë një vendim që sportit do t’i vlejë për një afat të gjatë. Debatet sjellin zgjidhen e problemit, jam i bindur që kjo situatë do të zhbllokohet shumë shpejt. Kur flitet për financat, gjithë ministrat dhe këshilltarët debatojnë”.

“Jemi në një vit të vështirë, tërmet, pandemi, biznese të rrënuara dhe qeveria ka vështirësi të mëdha. Janë zgjidhur 90% e kërkesave, ka ngelur vetëm Ligji i Sponsorizimit. Ka 2 variante, varjani jonë dhe i Ligës. Të dyja variantet konvergojnë, vetëm duhet gjetur modaliteti se si do zgjidhet”, u shpreh Fidel Ylli.

Kreu i ligës, Edvin Libohova, gjithashtu u shpreh se pret fundjavën për zgjidhjen e problemit, që futbollit t’i hapet rruga e rinisjes së edicionit të ri.

/NOA.al