Meta me ministrin e Jashtëm Grek: Marrëveshja për detin, në përputhje me Konventën e OKB
Transmetuar më 20-10-2020, 16:54

Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Zyra e shtypit e kreut të shtetit njofton se Meta u shpreh se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë ndër prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme dhe theksoi se këto marrëdhënie duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, të lidhura nga interesat strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO, perspektiva e përbashkët europiane dhe interesat ekonomike të të dy vendeve.

Lidhur me marrëveshjen e detit mes dy vendeve, Presidenti ka sugjeruar që të zgjidhet në përputhje me Konventën për Detin të OKB-së dhe duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, të vitit 2009.

“Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i shtetit ka përshëndetur mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë, si një qëllim kombëtar dhe strategjik të saj.

Ndërkohë, për pakicat greke në Shqipëri Meta ka theksuar se janë një urë e fortë për miqësinë, bashkë me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. /k.k/noa.al/