Transmetuar më 20-10-2020, 21:06

Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit shqiptar Edi Rama sot në Tiranë, me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dhendias, u duk se kaloi pa asgjë të re në frontin e temave të nxehta mes dy vendeve, ku më aktualja mbetet ajo e kufijve detarë. Dy palët ishin në unison gjatë fjalimeve të tyre, për vendimin që kjo çështje e bllokuar prej 11 vitesh, të shkojë në gjykatën e Hagës.

Por ajo që shënoi surprizë në daljen e sotme publike të Ramës me Dhendias, ishte deklarata e këtij të fundit, se heqja e ligjit të Luftës mes dy shteteve do të mund të bëhet vetëm me bashkëpunimin e Shqipërisë.

“Ne kemi referuar çështjen e ligjit të luftës. Zoti Kryeministër, ky gjë është një anakronizëm dhe jam i sigurt që këtë gjë do ta zgjidhim së bashku. E them këtë gjë këtu, nga Tirana, në opinionin publik shqiptar, me urdhër të Kryeministrit Mitsotakis”, – deklaroi z.Dendias.

Lind pyetja: Përse duhet bashkëpunimi i Shqipërisë, që Parlamenti grek të anulojë Ligjin e Luftës?

Për çfarë duhet të bashkëpunojë Shqipëria me Greqinë, që të hiqet Ligji i Luftës?

Kjo deklaratë e Dhendias, hedh dyshime se Athina zyrtare, nuk ka ndërmend ta bëjë abrogimin e ligjit famëkeq, pa marrë koncesione nga Tirana.

Por cilat janë këto koncesione?

Prej shumë dekadash, prona të komunitetit çam, janë sekuestruar nga shteti grek. Kjo u bë në emër të Ligjit të Luftës. Heqja e tij, automatikisht çon komunitetin çam, në të drejtën ligjore që të kërkojë rimarrjen e pronave të veta.

Por a pranon Greqia të japë tokat dhe ndërtesat e sekuestruara dekada më parë?

Jo!

Kjo është bërë e qartë shumë herë nga qeveritarët grekë, të të gjithë krahëve politikë, si në Athinë dhe në Tiranë. Ata nuk kanë ndërmend kurrë, që të pranojnë një kthim në bllok, të pronave që iu morën forcërisht mijëra çamëve.

Ndaj, pohimi sot i Dhendias se qeveria ku bën pjesë është e angazhuar për ta abroguar Ligjin e Luftës, nuk përbën asnjë lajm të ri.

Lajm përbën shtesa e re, e qeverisë së re, për ta bërë këtë gjë, “së bashku”.

E megjithatë, paraardhësit e Dhendias e kishin paralajmëruar një kërkesë të tillë: Disa herë, kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm grekë, kanë deklaruar se pranojnë ta heqin Ligjin e Luftës, duke kërkuar paralelisht, që Shqipëria të heqë dorë nga kërkimi i rikthimit në bllok të pronave çame.

Dhe Dendias, ishte sot në Tiranë, pikërisht në rrugën e paraardhësve të tij. Duke nënkuptuar si kusht të qartë, pikërisht atë që kanë përmendur disa herë, Kotzias, Cipras dhe të tjerë para tyre: Ligji i Luftës hiqet nëse çamët i kërkojnë pronat e tyre individualisht dhe vetëm përmes kalvarit gjyqësor në Strasburg.

Mbetet të shohim si do të evoluojnë ngjarjet. Duket e lehtë të ngresh kartonin në “Vuli”-në greke për të abroguar një ligj, por pasojat e këtij kartoni nuk i leverdisin as Greqisë, as qeverisë dhe as opozitës. Ndaj një hap i tillë, ashtu siç ka ngecur prej dhjetëra vitesh, duket të jetë po aq i vështirë edhe tani që po hyjmë në dekadën e tretë të mijëvjeçarit të ri! /a.b/noa.al/