Transmetuar më 20-10-2020, 21:56

Profesori për marrëdhëniet ndërkombëtare, Lisien Bashkurti e cilëson pozitive gjetjen e gjuhës së përbashkët me Greqinë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por nga ana tjetër thekson se Shqipëria nuk ka ende një projekt.

Diplomati gjatë një interviste në Euronews Albania tha se në praktikën diplomatike zgjidhja e këtyre çështjeve kalojnë përmes katër institucioneve: negociatat që është zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme, ngritja e komisioneve ndërkombëtare, arbitrazhi dhe zgjidhja përmes gjykatës ndërkombëtare.

“Në këtë rast duket se pala shqiptare dhe greke kanë shkuar në instancën e fundit. Procesi ka filluar në vitin 2006 që prodhoi një marrëveshje që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Metodologjia ishte e pasaktë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pas kësaj palët janë kontradiktuar jo vetëm faktorët brenda mes Shqipërisë por edhe me faktorët e jashtëm, Greqinë”, deklaroi profesori.

Sipas z. Bashkurti zgjidhja e çështjes në Gjykatën e Hagës kërkon një projekt nga ana e Shqipërisë, gjë që deri tani mungon.

“Ka qenë shumë e vështirë me sa duket për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve. Kjo është zgjidhja më e lehtë nga  pikëpamja teknike pasi nuk implikon aktorët e brendshëm por nuk është zgjidhja ideale. Në gjykatë shkohet me projekt, pala shqiptare nuk ka një projekt të mirëfilltë se si e shikon nga pikëpamja e saj zgjidhjen e problemit”, theksoi diplomati.

Vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias ai e cilëson takim pozitiv duke shtuar se, zgjidhja e kufirit detar do të hapë për dy vendet mundësi për shfrytëzimin e resurseve të gazit dhe naftës.

“E rëndësishme që palët kanë ardhur në pikën kur çështja duhet zgjidhur pasi shkarkon tensionin mes dy vendeve dhe krijon mundësinë për shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit. Por zgjidhja e marrëveshjeve të detit është tepër komplekse. Ka rreth 70 raste nga Gjykata e Detit të Hamburgut, por kemi edhe një sërë vendimesh të Gjykatës Ndërkombëtare siç janë rastet e Britanisë dhe Gjermanisë”, përfundoi z. Bashkurti.