Transmetuar më 21-10-2020, 00:32

Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit, thotë se batutat e shefit të qeverisë me mediat janë një cilësi që pëlqehet masivisht nga shqiptarët.

Gjoni komentoi sot shfaqjen e kryeministrit Edi Rama në emisionin e të enjtes në Opinion ku u debatua për aferën e inceneratorëve.

Fakteve për aferën, Rama më së shumti iu përgjigj me batuta. Por përse Rama po përdor batuta?

“Përdorimi i batutave është forma e propagandës që tregon se je në rrezik të madh komunikimi. Rrezikon që të dalë një informacion që nuk duhet.

Batuta në komunikimin politik është dritë e kuqe e ndezur. Tregon se ai që e përdor është në fazë rreziku. Por në Shqipëri, batuta të bën hero, preferohet, pëlqehet,” tha Gjoni.

“Ne jemi votues që na kënaq më shumë një batutë sesa një program politik. Nga emisioni njerëzit mund të kenë kuptuar pak gjëra, por u kanë mbetur në mendje batuta si ajo që nuk ka hajdutë mbi dy metra.

Batuta stimulon dhe provokon emocione. Nga mendimi, ajo çon te reagimi. Te ata që kërkojnë argumentin, reagimi është negativ. Por të tjerët kënaqen me batutat.

Frika ime është që njerëzit e preferojnë dhe ngopen me batutën. Pas kësaj batute fshihen të tjera probleme. Unë shqetësohem kur kryeministri përdor batuta dhe atë lloj gjuhe pasi tregon se gjërat nuk janë mirë,” tha Gjoni.