Transmetuar më 21-10-2020, 00:58

Këtë fundjavë është e diela e fundit e muajit tetor dhe do të bëhet ndryshimi i orës në vendin tonë. Ora 03.00 do të bëhet 02.00. Një gjë e tillë prej vitesh ndodh dy herë në vit, në javën e fundit të tetorit, dhe javën e fundit të marsit. Mes 24 dhe 25 tetorit do të rikthehet ora diellore pasi që nga fundi i marsit jemi në orën ligjore që aplikohet për të kursyer energji.

Llogaritja dimërore e kohës fillon fundjavën e fundit të tetorit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit në mars kur fillon llogaritja verore e kohës, përmes orës legale.

Në Shqipëri, deri disa vite më parë, ndryshimi i orës dy herë në vit, shpallej vetëm me vendim qeverie. Nga viti 2009, kjo nuk është aplikuar më nga qeveria shqiptare, pasi në atë kohë u bë dhe stabilizimi i ndërrimit periodik të orës, të dielën e fundit të marsit dhe tetorit.

Por gjërat po ndryshojnë. Bashkimi Europian ka njoftuar se ka vendosur të heqë dorë nga ndryshimi i detyrueshëm dy herë në vit i akrepave të orës.

Për ta aplikuar këtë, BE u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri në vitin 2021 për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore.

Zvicra dhe shumë shtete europiane nga e shtuna, 24 tetor deri të dielën 25, kanë vendosur që akrepat të kthehen nga ora 3 e mëngjesit në 2 e mëngjesit.

Disa shtete të tjera kanë njoftuar po ashtu se këtë fund tetori do të bëjnë ndryshime të orës duke bërë që këtë fundjavë të flemë një orë më shumë.

Qeveria shqiptare nuk ka marrë një vendim mbi këtë çështje dhe as ka hedhur për diskutim publik këtë temë që i prek të gjithë.

Ndërsa BE ia la çdo vendi anëtar të saj që të vendosë cilën orë do të mbajë gjithë vitin, atë legale që vjen pas pak ditësh apo atë diellore që ndodh në mars.

Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë.

Por si dhe kur nisi e gjitha kjo? Rregulli i ndryshimit të orës është vendosur që në shekullin e tetëmbëdhjetë, ku i pari ka qenë Benjamin Franklin i cili hodhi teorinë se me realizimin e tij, do të kursehej shumë energji.

Ndërsa një shekull më vonë (në vitin 1907), teoria e tij u mor nga britaniku Uillett Uilliam, i cili e paraqiti atë në Dhomën e Komuneve e cila i dha dritën e gjelbër projektit “British Summer Time”, i cili përfshinte lëvizjen e akrepave të orës përpara gjatë verës.

Shumë vende e pasuan Britaninë e Madhe në këtë hap, veçanërisht në kohë lufte, kur ruajtja e energjisë ishte me të vërtetë një prioritet.

Ndërsa miratimi përfundimtar i kësaj mase për të gjitha vendet, konsiston në vitin 1966, i cili përkoi me krizën e energjisë.

Që prej vitit 1981 u vendos ligji që përfshin të gjithë Europën, që në të gjitha shtetet e saj, në këtë ditë, akrepat e orës të lëvizin 60 minuta përpara, çka do të thotë një orë gjumë më pak, ose një orë gjumë më shumë, në varësi të muajit kur ndyshon.

Norma europiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ajo shkon një orë pas.

Vitet e fundit, në Evropë janë shpeshtuar debatet se sa me të vërtetë sjell dobi llogaritja verore dhe dimërore e kohës. Megjithatë, disa astronomë janë kundër zhvendosjes së akrepave dhe “zgjatjes” artificiale të ditës, pasi vlerësojnë se natyra nuk duhet “munduar”, madje edhe nëse arsyetohet me llogaritje ekonomike.

Mjekja psikiatre: Efektet që shkakton direkt te njerëzit

Ndryshimi i orës do të na bëjë të flemë një orë më shumë, por sipas mjekëve lëvizja e akrepave reflektohet negativisht në sjelljen tonë.

Mjekja psikiatre Arjana Rreli shpjegon se shkurtimi apo zgjatimi i ditës dhe çrregullimi i gjumit sjell nervozizëm, lodhje dhe shpërqendrim.

Ndaj, mos u habisni nëse për disa ditë nga e diela e ndryshimit të orës, mund të mos jeni shumë në formë. Ndryshimi reflektohet edhe më shumë tek tipat e rregullt ose siç i quajmë zakonisht, ata striktë.

Në fakt, jo vetëm ndryshimi i orës, por edhe zona kohore ndikon në sjelljen e njerëzve.

Të paktën kështu mendohet në Spanjë, ku ligjvënësit po diskutojnë që ta ndryshojnë orën ligjore për shkak se kjo mund të përmirësojë gjumin dhe përqendrimin në punë.

Spanja ka zonën kohore të Europës Qendrore, të njëjtë me tonën. Edhe pse normalisht këtij shteti i takonte të ishte në një zonë tjetër kohore, me atë të Britanisë së Madhe apo Portugalisë, kjo u vendos nga diktatori Franko rreth 70 vjet më parë, për të qenë me të njëjtët akrepa, si aleatët e tij nazistë. /a.b/noa.al/