Transmetuar më 21-10-2020, 07:52

Bota ndodhet në një fazë të rëndë të pandemisë Covid-19 dhe shtimi i njerëzve të infektuar ka marrë përmasa serioze. Nëse muajt e parë ishin më pak se një milion raste, aktualisht ka shkuar në 41 milionë numri i të infektuarve, me dendësi midis 300 deri 400 mijë rastesh çdo ditë nëpër botë.

Kjo situatë konsiderohet shqetësuese edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Drejtori i Shërbimit për Situata Emergjente shëndetësore në OBSH, Mike Ryan, thotë se njerëzit po bëhen shkak i drejtpërdrejtë i infektimit masiv.

Ai thekson se mënyra më e efikase për të ndërprerë zinxhirin e infektimeve, është izolimi i personave që kanë pasur kontakte me të sëmurët.

“Çdo individ që është takuar me ndonjë të prekur duhet të hyjë në karantinë, me qëllim që të frenohet përhapja e sëmundjes”, tha Ryan gjatë një konferencë për shtyp në Gjenevë.

“Mendoj se një gjë e tillë nuk është bërë dhe as që do të bëhet në mënyrë sistematike, dhe kjo është një prej arsyeve kryesore që po shohim rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19”, shtoi ai.

Ndërsa bota shënon 1.1 milionë të vdekur nga koronavirusi dhe çdo ditë ky infeksion po merr deri 6 mijë jetë njerëzish, mbarë Europa e Bashkuar dhe vende si SHBA, Brazili, India e Rusia po shënojnë rritje galopante të infektimeve.

Zyrtari i lartë i OBSH, e pranon se e gjitha kjo i ka rraskapitur njerëzit dhe indirekt replikoi me deklaratën e djeshme të Presidentit Trump.

“E di që njerëzit janë lodhur, por nuk duhet ulur vigjilenca sepse ky virus ka treguar se mund sërish të shfaqet me shpejtësi të madhe, duke kërcënuar sistemin shëndetësor”, u shpreh Ryan.