E turpshme/ Infermieret në një spital të Spanjës, tallen me të vdekurit nga Covid (VIDEO)
Transmetuar më 21-10-2020, 04:52

Një video që ka shkaktuar polemika, është publikuar në mediat spanjolle, ku katër punonjëse me uniformë në një spital të Tarragonas duket të tallen me situatën e vështirë në të cilën ndodhet bota, e sidomos Spanja.

Ato shihen teksa performojnë një kërcim nën ritmet e muzikës që u bë e famshme gjatë karantinës, ku 4 afrikanë largojnë me ceremoni dhe kërcime arkivolin e të vdekurit.

Infermieret gjenden në një dhomë ku njëra shtiret si paciente e vdekur dhe më pas ngrihet e kërcen me të tjerat.

“Infermieret e spitalit Joan XXIII të Tarragonas, spital në të cilin janë shtruar shumë pacientë, po tallen me të vdekurit,” shkruhet në tekstin që shoqëron videon.

Menjëherë kanë nisur hetimet për të marrë në pyetje 4 infermieret, shkruan Diari de Tarragona.

Vetë qendra shëndetësore konfirmoi se video është filmuar në ambientet e spitalit të tyre dhe se personat që shfaqen në video janë infermiere.