Transmetuar më 21-10-2020, 08:36

Ministria e Infrastrukturës po nis një tjetër fushatë arkëtimi të hollash, duke ndryshuar lejet e qarkullimit të automjeteve. Vendimin e njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor e cila tha në mesnatën duke hyrë dita e sotme, se ministria që e ka në varësi, e pranoi propozimin e tyre dhe e ktheu në vendim.

Në këtë mënyrë, qytetarët do të duhet të pajisen me leje të re qarkullimi, e cila sipas të dhënave nga ministria, do të kryhet masivisht në 2021.

Synimi kryesor i autoriteteve është të frenohet ardhja e makinave të vjedhura nga jashtë, të cilat dihet se që prej 30 vitesh kanë mbushur Shqipërinë, kryesisht me mjete luksoze.

Gjithsesi ndërrimi i lejeve të qarkullimit është kosto shtesë për pronarët e mjeteve. Shumë prej tyre i kanë lejet aktuale të padëmtuara, por të mbushura me vula. E megjithatë ndryshimi i lejes do të jetë me pagesë.

Noa.al kërkoi informacion nëse pajisja me lejen e re do të jetë e detyrueshme. Zyrtarisht bëhet e ditur se "leja e re, sapo të jetë disponibël, do jepet për veprimet e reja me mjetin" dhe se ajo "nuk është e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit".

Gjithsesi, lejet aktuale janë me afat 5 apo 10 vjeçar. Kjo pasi ato ngarkohen rregullisht me vula kolaudimi ndaj duket se dalja e lejeve të reja do të detyrojë qytetarët të shkojnë e të pajisen me lejen e re.

Këtë e ka të qartë më së miri dhe DPSHTRR. Ajo thekson në komunikatën e lëshuar, se "leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, për rrjedhojë nuk do të bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale. Po ashtu, leja e re nuk ka afat vlefshmërie, ndërsa leja aktuale për shkak të vulave të kolaudimit duhet të rinovohej, për kategori të caktuara mjetesh, çdo 5 ose çdo 10 vjet".

Por çfarë ndryshon në sistemin e lejeve të qarkullimit?

Sot paguhen 3,500 lekë së bashku për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. DPSHTRR po përgatit procedurën teknike për lëshimin, personalizimin e dokumentit të ri unik që do kushtojë 2,100 lekë, ose -40%.

Leja e re përfshin të dhëna shtesë qiradhënësi mjeti dhe përdoruesi mjeti dhe do gjenerohet përmes sistemit të ri elektronik, platforma e re eDPSHTRR!

Gjithashtu, leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon Certifikatën e Pronësisë së Mjetit!

Shteti është kujdesur që leja e re të ketë sa më pak mundësi falsifikimi. Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit të mjeteve gjermane ndaj zvogëlohet në maksimum mundësia e manipulimit të të dhënave. Për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim dhe për çdo verifikim nga autoritetet e kontrollit brenda/jashtë vendit! (ndryshe nga leja aktuale)

Siç shihni dhe në galeri, leja e re do të jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike dhe rezistente, si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar.

Ministria e Infrastrukturës pretendon se leja e re, për shkak të cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti dhe qytetari që udhëton jashtë vendit lehtësohet nga kosto e angari kohore, sepse sot i duhet që çdo 3 vjet të kërkojë e paguajë leje ndërkombëtare.

Por kjo duket të jetë vetëm shpresë e qeverisë sepse çdo shtet i trajton individualisht dhe negociatat për t’ia arritur janë rraskapitëse. Vetëm pak muaj më parë, Gjermania pranoi të njohë lejet e drejtimit të automjeteve të Shqipërisë, kurse Greqia ende nuk po e zbaton plotësisht. Vende si fqinji Maqedoni, as që e konsiderojnë lejen shqiptare nëse nuk shoqërohet nga ajo ndërkombëtare, edhe pse këtë e bëjnë me hope. /noa.al/